Monitorimi i mbulimit të fushatës zgjedhore nga OSHMA për zgjedhjet e datës 25 prill 2021
Kuadri ligjor
Kodi Zgjedhor i ndryshuar, në nenin 85 përcakton për herë të parë që monitorimi i fushatës zgjedhore në mediat audiovizive kryhet nga AMA dhe që monitorimi kryhet në të gjithë territorin ku zhvillohen zgjedhjet. AMA i pasqyron gjetjet e veta në raporte të detajuara, të cilat ia paraqet KQZ-së për kompetencë.
Në zbatim të Kodit Zgjedhor, KQZ, me vendimin nr. 2, datë 30.01.2021 ka miratuar metodologjinë e monitorimit të medias audio dhe audiovizive, akt në të cilin parashikohen procedurat dhe teknikat që duhet të ndjekë AMA, gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore.
Përpara fillimit të fushatës zgjedhore si dhe në vazhdimësi të saj, AMA ka komunikuar në mënyrë periodike me gjithë OSHMA-të, (shkresa zyrtare, publikime në adresën zyrtare në web, kontakte të drejtpërdrejta etj.) duke iu bërë me dije kërkesat e Kodit Zgjedhor dhe akteve nënligjore të miratuara nga KQZ dhe rëndësinë e zbatimit të tyre.
Burimet njerëzore të angazhuara
Për realizimin e monitorimit të subjekteve radio/televizivë, janë angazhuar 1/3 e administratës së AMA-s si dhe janë kontraktuar 27 monitorues të jashtëm të cilët janë trajnuar paraprakisht për këtë proces.
Aktivitetet e ndaluara dhe reklamat institucionale
Në zbatim të detyrimeve të Kodit Zgjedhor mbi aktivitetet e ndaluara nga KQZ, AMA monitoroi programet e operatorëve, kombëtare dhe informative, duke nisur nga kontrolli disa herë në ditë i faqes zyrtare të internetit të KQZ-së, konkretisht te rubrika “Aktivitete të ndaluara”, për një periudhë 4 muaj para datës së zgjedhjeve.
Fokusi i monitorimit
Metodologjia parashikon kriteret e përzgjedhjes së OSHMA-ve që do të monitorohen, ku përfshihen përqindja e mbulimit të populllsisë dhe natyra e programeve. Në total, në Shqipëri ofrohen 123 shërbime programore audiovizive tokësore (17 të operatorit publik, 64 të operatorëve private kombëtarë dhe lokale dhe 42 ofrues shërbimi në rrjet numerik), 4 radio kombëtare analoge dhe 18 shërbime programi në internet.
Nisur nga karakteri i programit, vetëm 60 subjekte (televizione dhe radio kombëtare) ofrojnë përmbajtje gjeneraliste dhe informative. Nga programet/kanalet e OSHMA-ve publike dhe private, nuk janë të përfshirë në monitorim, shërbimet programore/kanalet që kanë karakter tematik (fëmijë, shkencë, sport, film etj.). Kanalet tematike nuk rezultojnë që të kenë edicione ose programe informative që lidhen me fushatën zgjedhore.
Kanë qenë në monitorim të pandërprerë 22 televizione me karakter gjeneralist dhe informativ, që sipas licencës të tyre mbulojnë më shumë se 48% të popullsisë të vendit. Po ashtu, në monitorim të pandërprerë ishin edhe 4 radio kombëtare.
Monitorimi i 26 OSHMA/kanaleve të licencuar për mbulim lokal dhe rajonal, që mbulojnë më pak se 48% të popullsisë është bërë me përzgjedhje sipas zonës së ofrimit të shërbimit (mbulimit gjeografik), sipas vendimeve të AMA-s, nr. 46, datë 26.03.2021 (datat 26 mars 2021 – 03 prill 2021), nr. 52, datë 06.04.2021 (datat 04 prill 2021 – 10 prill 2021), nr. 57, datë 14.04.2021 (datat 12 prill 2021 – 20 prill 2021), nr. 60, datë 22.04.2021 (datat 20 prill 2021 – 24 prill 2021).
Një tjetër kategori subjektesh OSHMA, të përfshirë në monitorim janë subjektet e pajisura me autorizim për ofrimin e shërbimit të programit audioviziv mbështetur në rrjet kabllor, internet, IPTV etj. Në total janë të pajisur me autorizim 18 subjekte, nga të cilët 7 subjekte transmetojnë edicione informative, duke qenë se karakteri i programacionit të tyre është gjeneralist.
Po ashtu, pjesë e monitorimit ka qenë edhe 1 program informativ mbështetur në satelit.
Tipologjia e programeve të monitoruara
- edicione të zakonshme dhe të posaçme informative
- transmetimet e drejtpërdrejta (live);
- spote/reklama;
- titrimet bazuar në kampionatura në 2 orë të ndryshme të ditës për TV informative;
- debate zgjedhore;
- programe me përmbajtje të ndryshme ku ftohen politikanë dhe që përcjellin mesazhe politike.
Raportimet ditore dhe përmbledhëse për KQZ-në
AMA përcolli çdo ditë në KQZ, raportin ditor të monitorimit për datat 26 mars – 23 prill 2021, dhe për datat 24-25 prill 2021 për respektimin e heshtjes zgjedhore.
Raportet ditore të monitorimit përmbajnë të dhënat e mëposhtme:
- Kohën e monitorimit të secilit prej OSHMA-ve në monitorim, për transmetimet nga ora 08:00-00:00.
- Minutazhin e transmetimeve për secilin subjekt zgjedhor.
- Hapësirën për çdo aktor politik.
- Radhën e vendosjes së kandidatëve në edicionet informative.
- Transmetimet live.
- Raportin gjinor të mbulimit të mediatik të kandidatëve.
Mbështetur në Kodin Zgjedhor, AMA në mënyrë periodike ka miratuar raportet përmbledhëse të monitorimit duke i propozuar KQZ-së marrjen e masave të parashikuara në Kodin Zgjedhor, për mosdepozitimin e regjistrimeve në AMA; kompensimin e kohës së transmetimit në edicionet informative si dhe masa administrative për rastet e shkeljeve; për respektimin e kritereve për transmetimin e reklamave politike; për respektimin e kritereve për publikimin e sondazheve zgjedhore; për zbatimin e kërkesave të Kodit Zgjedhor për periudhën e heshtjes zgjedhore; si dhe tërheqje vëmendjeje për respektimin e raportit të përfaqësimit gjinor.
- AMA me vendimin nr. 51, datë 06.04.2021, ka miratuar raportin të monitorimit të mbulimit të fushatës zgjedhore nga OSHMA-të, për periudhën 26 mars 2021 – 03 prill 2021”.
- AMA me vendimin nr. 56, datë 14.04.2021, ka miratuar raportin e monitorimit të mbulimit të fushatës zgjedhore nga OSHMA-të, për periudhën 04 prill 2021 – 11 prill 2021”.
- AMA me vendimin nr. 59, datë 22.04.2021, ka miratuar raportin e monitorimit të mbulimit të fushatës zgjedhore nga OSHMA-të, për periudhën 12 prill 2021 – 19 prill 2021”.
- AMA me vendimin nr. 62, datë 27.04.2021, ka miratuar raportin e tabelave përmbledhëse të monitorimit të mbulimit të fushatës zgjedhore nga OSHMA-të për periudhën 26 mars – 23 prill 2021 si dhe respektimin e periudhës së heshtjes zgjedhore”, si dhe tabelat kumulative për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në periudhën 26 mars – 23 prill 2021.
Vlen të theksohet se për raportet e monitorimit të mediave audio/audiovizive ka patur një numër të ulët ankesash/kërkesash nga OSHMA-të drejtuar AMA-s dhe këto kërkesa kishin të bënin kryesisht me sqarime proceduriale sesa për rishikimin e treguesve të monitorimit.
Tabelat përmbledhëse
Në fund të procesit të fushatës zgjedhore, AMA përgatiti tabelat përmbledhëse si vijon:
Tabela nr. 3/1 “Transmetime Live”
Tabela nr. 3/2 “Aktori në sinkron”