E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Qarku Kukës – Tryeza e shtatë e këshillimit publik në kuadër të rishikimit të Kodit të Transmetimit

Në kuadrin e rishikimit të Kodit të Transmetimit, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), organizoi në Kukës, më 12 janar 2023, tryezën e shtatë të këshillimit publik.

Të pranishmit u njohën fillimisht me Projektkodin në tërësi, për t’u përqendruar më pas konkretisht te kapitujt “Barazia gjinore”, “Parandalimi dhe luftimi i gjuhës së urrejtjes”, “E drejta për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale”, “Të drejtat e personave me aftësi të kufizuara” dhe “Mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës në transmetimet audiovizive”.

Pjesë e këshillimit në këtë tryezë u bënë përfaqësues të OSHMA-ve, të shoqërisë civile, të Qendrës për Progres Rinor, institucioneve lokale, etj. Takimi i shërbeu diskutimit shumëplanësh rreth ndryshimeve të propozuara, duke u ndalur veçanërisht te detyrimet konkrete të profesionistëve të medias për respektimin e barazisë gjinore, interesit më të lartë të fëmijës, të drejtave të personave me aftësi të kufizuar si edhe te detyrimet për shmangien e diskriminimit dhe mbrojten e privatësisë, pavarësisht lirisë së shprehjes dhe të drejtës për informim.

Kryetarja e Këshillit të Ankesave, Mirela Oktrova, bëri një paraqitje të shkurtër të procesit të deritanishëm të rishikimit të Kodit të Transmetimit në përmbushje të detyrimeve të rrjedhura prej Planit Strategjik 2021-2023 të Autoritetit, kërkesave të zhvillimit shoqëror dhe teknologjik dhe standardeve ndërkombëtare. Ajo theksoi rëndësinë, që procesi i përftimit të Projektkodit i ka kushtuar ruajtjes së tri ekuilibrave: midis nevojës për rregullim dhe lirisë së shprehjes e të drejtës së informimit, midis shtimit të dispozitave detyruese dhe formulimit të rekomandimeve në kuadrin e edukimit mediatik si edhe midis interesit publik dhe të drejtës për privatësi.

Përfaqësuesit e OSHMA-ve dhe grupeve të interesit u ndalën te motivet dhe shfaqjet konkrete të diskriminimit dhe stereotipeve gjinore në nivel vendor, me pasojë praninë e ulët të grave në median lokale; tek injorimi i standardit për ruajtjen e privatësisë së viktimave dhe prezumimin e pafajsisë; te mosnjohja apo/dhe mosinteresimi i profesionistëve lokalë të medias për aktet ligjore dhe nënligjore, që rregullojnë veprimtarinë e tyre profesionale dhe detyrimet, që ato prodhojnë për ushtrimin e profesionit në përditshmëri; tek indiferenca ndaj shembujve dhe modeleve pozitive, te praktika rezistente e hapjes së edicioneve informative me Kronikën e Zezë, pavarësisht fashës orare dhe ekspozimit të fëmijëve ndaj saj; te vështirësitë financiare, që, sipas përfaqësuesve të OSHMA-ve, prodhojnë mungesë apo numër të kufizuar formatesh për fëmijë; te mungesa e seriozitetit në respektimin e dispozitave për intervistimin dhe praninë e fëmijëve në mediat lokale, etj.

Ekspertja e angazhuar nga AMA për analizimin dhe hartimin e Kodi të ri të Transmetimit, Prof. Dr. Vasilika Hysi, në cilësinë e juristes dhe ekspertes së lirive dhe të drejtave të njeriut, prezantoi me detaje ndryshimet e propozuara për Kodin e Ri të Transmetimit në tërësi. Ajo argumentoi nevojën e seksioneve të dedikuara për Barazinë Gjinore” dhe “Gjuhën e urrejtjes”, duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit të profesionistëve për detyrimet e rrjedhura prej tyre si edhe u ndal me përparësi tek e drejta dhe dinjiteti i viktimës, familjes dhe të afërmve të tij, te nevoja për shmangien e diskriminimit edhe pozitiv te personat me aftësi të kufizuara, te detyrimi për mospublikim të të dhënave konfidenciale për të gjitha llojet e paaftësisë mendore apo fizike, apo për orientimin seksual, etj.

Në funksion të edukimit mediatik, Këshilli i Ankesave njohu të pranishmit me funksionin e vet, si strukturë e posaçme e Autoritetit të Mediave Audiovizive, e cila mbikqyr mënyrën e zbatimit të Ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe të akteve të tjera nënligjore, të miratuara nga AMA nga ana e OSHMA-ve. Në këtë kuadër, KA shpjegoi edhe mënyrën e funksionimit të mekanizmit të ankesës, formularin dhe kushtet, që ankesa duhet të plotësojë, për t’u marrë në konsideratë si edhe procedurat përkatëse të administrimit të saj.

Autoriteti i Mediave Audiovizive inkurajon të gjithë aktorët dhe faktorët që të konsultohen me draftin dhe të bëjnë komente apo propozime konkrete lidhur me të.

Fushata e këshillimit publik për Kodin e Ri të Transmetimit planifikohet të vazhdojë deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti. Gjatë gjithë kësaj kohe, Projektkodi i plotë i Transmetimit qëndroni publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit të Mediave Elektronike – në rubrikën Këshillimi publik – për të garantuar akses të plotë në dokument, jo thjesht dhe vetëm të OSHMA-ve dhe grupeve të tjera të interesit, por edhe të publikut të gjerë – si për t’u njohur me të, ashtu edhe për të formuluar vërejtje, komente dhe propozime për aspekte të caktuara të tij.

Perpara Takim dypalësh RSH-BE për funksionimin e institucioneve demokratike

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara