Në kuadër të fushatës së edukimit mediatik “Kompetencë mediatike për moshat shkollore”, kryetarja e AMA-s, Znj. Armela Krasniqi, zhvilloi një bashkëbisedim me nxënës dhe mësues të gjimnazit “Naim Frashëri” në Durrës.
Gjatë takimit u diskutua mbi ndikimin e teknologjisë në mënyrën se si të rinjtë komunikojnë dhe informohen, si edhe mbi rreziqet që lidhen me përdorimin e internetit, lojërat online dhe komunikimin me persona të panjohur.
Ndalja në Durrës vjen pas aktiviteteve të zhvilluara në Elbasan, Lezhë dhe Tiranë, në kuadër të kësaj nisme që synon të rrisë ndërgjegjësimin e të rinjve për sfidat e mjedisit digjital dhe të forcojë aftësitë e tyre për të analizuar dhe vlerësuar informacionin që marrin.
Kryetarja e AMA-s shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, si dhe falënderoi drejtuesit, mësuesit dhe nxënësit e gjimnazit “Naim Frashëri” për mikpritjen dhe angazhimin e tyre.

























