E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Krasniqi: Pavarësia e AMA-s matet me indikatorë dhe jo me perceptime. Gjykatat kanë konfirmuar ligjshmërinë e vendimeve tona

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi raportoi sot në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik lidhur me raportin e punës së institucionit vitin e kaluar, ku theksoi se “gjatë vitit 2025, Bordi i AMA-s ka marrë rreth 110 vendime, ndërsa në pesë vitet e fundit janë miratuar mbi 550 vendime, mbi 67% e të cilave me dakordësi unanime”.

Në fjalën e saj, Krasniqi tha se “kjo dëshmon një vendimmarrje të mbështetur në ligj, profesionalizëm dhe me përgjegjësi institucionale. Në tërësinë e këtyre vendimeve përfshihen 27 vendime për konstatim pavlefshmërie licence/autorizimi; 48 vendime për rinovimin e licensave; 76 vendime për rinovimin e autorizimit; 6 vendime për heqjen e licencave; 7 vendime për heqjen e autorizimit; 2 vendime për dhënien e licensave; 43 vendime për dhënien e autorizimit; 17 vendime për akte nënligjore të ndryshme; 9 vendime për çelje gare për frekuenca të lira Audio/Audiovizive”.

 

“Autoriteti i Mediave Audiovizive ka kryer monitorimin e 7 fushatave zgjedhore, ka shtuar ajo, janë marrë vendime për 38 gjoba për përmbajtje dhe 44 gjoba për pirateri televizive, të cilat në total llogariten në mbi 80 milionë lekë”.

 

Por si qëndrojnë këto vendime kur janë vënë përballë vendimeve të Gjykatës?

 

“Vetëm gjatë vitit raportues, AMA ka fituar 15 procese në Gjykatë dhe ka humbur vetëm një. Në pesë vitet e fundit, nga 49 procese të përfunduara në shkallën e parë, 44 janë fituar nga AMA. Kjo do të thotë se në afro 82%, gjykatat shqiptare kanë konfirmuar si të drejta dhe të bazuara në ligj vendimet e AMA-s”, tha Krasniqi.

 

Krasniqi tha se “pavarësia e një autoriteti rregullator nuk matet me deklarata politike, as me perceptime dhe as me pretendime. Ajo matet me vendimet që merr, me transparencën e veprimtarisë së tij dhe me aftësinë për t’i mbrojtur ato vendime përballë kontrollit institucional dhe gjyqësor”.

 

Sipas saj, ky nuk është thjesht një sukses statistikor, por dëshmi se kur AMA ka ndërhyrë ndaj piraterisë, kur ka marrë masa për mbrojtjen e standardeve të transmetimit, apo kur ka kërkuar respektimin e ligjit në përmbajtjen audiovizive, ajo ka vepruar mbi baza të qëndrueshme ligjore dhe profesionale.

Në fund të fundit, shtoi Krasniqi, pavarësia e një institucioni nuk provohet nga sa shpesh vendimet e tij i rezistojnë provës më të fortë: gjykimit të ligjit.

 

“Pavarësia nuk është një privilegj i institucioneve. Pavarësia është një detyrim ndaj qytetarëve. Pavarësia provohet me vendimet që merr, me presionet që refuzon dhe me interesat që nuk pranon t’u nënshtrohet. Pavarësia fitohet çdo ditë. Fitohet kur ligji vendoset mbi interesin. Kur profesionalizmi vendoset mbi ndikimin. Kur vendimmarrja udhëhiqet nga përgjegjësia publike dhe jo nga kalkulimet e momentit. Dhe nëse ka një mënyrë për të gjykuar pavarësinë e një institucioni, ajo nuk është ajo që institucioni thotë për veten”, theksoi Krasniqi.

 

Krasniqi u shpreh se “gjatë vitit 2025, Këshilli i Ankesave ka shqyrtuar 432 ankesa, 365 nga qytetarë të zakonshëm. Kjo do të thotë se çdo ditë të vitit një qytetar ka trokitur në derën e AMA-s për të kërkuar mbrojtjen e një të drejtë të cenuar.

Mbi 84% e këtyre ankesave janë paraqitur nga vetë qytetarët. Kjo nuk është thjesht një shifër.

Është një sinjal i qartë se publiku e konsideron AMA-n një mekanizëm real mbrojtjeje dhe jo një institucion të largët burokratik.

 

Gjithashtu gjatë vitit 2025 janë shqyrtuar 329 raste programore. Në 106 prej tyre janë konstatuar shkelje të standardeve ligjore dhe etike për të cilat janë marrë masat e nevojshme sipas parashikimeve ligjore.

 

Në total, gjatë vitit 2025 AMA ka marrë 32 vendime me sanksione gjobë (pirateri, përmbajtje, etj) dhe 141 masa “tërheqje vëmendje.

 

Perpara Krasniqi me gjimnazistët e “Naim Frashërit” në Durrës: Teknologjia sjell mundësi, por edhe rreziqe

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2025 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara