Autoriteti i Mediave Audiovizive prezanton, Platformën Elektronike për Njoftimin dhe Ndjekjen e Rasteve të Piraterisë Audiovizive (PENPA), një mekanizëm të ri digjital që synon të forcojë bashkëpunimin institucional dhe të përshpejtojë procesin e identifikimit dhe bllokimit të burimeve të transmetimeve të paligjshme.
Mes prezencës së operatorëve mbajtës të së drejtave të transmetimit dhe orperatorëve të autorizuar të tegut u prezantua PENPA platforma e cila synon të rrisë efikasitetin e veprimeve kundër transmetimeve të paligjshme.
Drejtori i Planifikimit të Frekuencave dhe TIK, z. Vasil Mitezi, prezantoi këtë Platformë të cilën AMA e ka zhvilluar për të bashkërenduar në kohë reale punën me operatorët për bllokimin e transmetimeve të paligjshme.
Ai shpjegoi se AMA ia referon zyrtarisht çdo rast AKEP-it dhe njëkohësisht regjistron në platformë të dhënat e burimit të identifikuar. Pas njoftimit zyrtar nga AKEP-i, secili operator raporton në platformë masën që ka marrë në rrjetin e vet ose arsyen pse nuk ka mundur ta zbatojë.
- Mitezi vuri theksin te roli i platformës si bazë për krijimin e një koalicioni mes AMA-s dhe operatorëve të ligjshëm të tregut, duke sqaruar se pjesëmarrja në këtë nismë është vullnetare. Në përfundim, ai bëri të ditur se AMA ka përgatitur një udhëzues praktik për përdorimin e platformës dhe është e hapur si për sugjerime nga operatorët për zhvillimin e mëtejshëm të saj, ashtu edhe për takime teknike në vijim.
Përmes kësaj platforme, AMA regjistron burimet e transmetimeve të paligjshme, përfshirë adresat IP dhe domenet, dhe ndjek në mënyrë të centralizuar ecurinë e çdo rasti. Pas referimit zyrtar të rastit pranë AKEP-it dhe njoftimit të operatorëve sipas procedurës përkatëse, ISP-të mund të aksesojnë kërkesat që u përkasin, të kryejnë bllokimin në rrjetet e tyre dhe të konfirmojnë veprimin përmes platformës.
Një nga risitë kryesore të PENPA-s është monitorimi në kohë reale i statusit të çdo kërkese. Platforma evidenton rastet në pritje, bllokimet e konfirmuara dhe njoftimet për të cilat ka përfunduar afati pa u raportuar zbatimi i masës. Gjithashtu, në rastet kur një operator nuk mund ta realizojë teknikisht bllokimin, ai mund të raportojë arsyen përkatëse, duke garantuar transparencë në trajtimin e çdo kërkese.
Paneli administrativ i AMA-s ofron një pasqyrë të përditësuar të të gjitha rasteve, ndërsa sistemi gjeneron automatikisht njoftime për çdo veprim të kryer, përfshirë konfirmimin e bllokimit ose tejkalimin e afatit. Çdo rast shoqërohet me një historik të plotë kronologjik, ku regjistrohen njoftimet, koha e marrjes së tyre, afatet dhe përgjigjet e operatorëve.
Përmes PENPA-s, procesi i ndjekjes së piraterisë audiovizive bëhet më i strukturuar, i gjurmueshëm dhe i dokumentuar. Operatorët kanë akses vetëm në rastet që u janë përcjellë, ndërsa AMA mund të monitorojë zbatimin e masave dhe të identifikojë në kohë rastet që kërkojnë ndërhyrje të mëtejshme.
Platforma synon të krijojë një mekanizëm bashkëpunimi të qëndrueshëm ndërmjet AMA-s, AKEP-it dhe operatorëve të tregut, duke forcuar përgjegjshmërinë e secilës palë në luftën kundër piraterisë audiovizive.
Me zhvillimin e PENPA-s, AMA synon të rrisë efikasitetin e veprimeve kundër transmetimeve të paligjshme, të mbrojë të drejtat e subjekteve të ligjshme audiovizive dhe të kontribuojë në krijimin e një tregu mediatik më të drejtë dhe transparent.