Gjatë prezantimit të Platformës Elektronike për Njoftimin dhe Ndjekjen e Rasteve të Piraterisë Audiovizive (PENPA) drejtori i Drejtorisë së Inspektimit dhe Mbikëqyrjes, Ervin Celaj tha se lufta ndaj piraterisë është angazhimi prioritar në punën e tyre.
Ai është shprehur se nga korriku në tetor 2026, AMA zhvilloi dy raunde inspektimesh në terren, duke verifikuar masat e marra nga ofruesit e internetit pas identifikimit dhe referimit të lidhjeve të shërbimeve pirate pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
“Në korrik u inspektuan 30 ofrues interneti, ndërsa pranë AKEP-it u dërguan 128 lidhje (linke) për bllokim. Nga verifikimi rezultoi se vetëm 3 prej tyre, ose 10%, kishin marrë masa për mbylljen e shërbimeve pirate, ndërsa 27 ofruesit e tjerë, ose 90%, nuk kishin ndërmarrë veprime. Një tjetër raund inspektimesh u zhvillua në tetor, në bashkëpunim me AKEP-in, ku u kontrolluan 20 ofrues interneti dhe u referuan 214 lidhje për bllokim. Edhe në këtë rast, rezultatet treguan se vetëm 2 ofrues, ose 10%, kishin marrë masa, ndërsa 18 të tjerë, ose 90%, nuk kishin zbatuar veprime për mbylljen e shërbimeve pirate”- u shpreh Celaj duke shtuar se reagimi i ofruesve të internetit mbetet i ulët, duke evidentuar nevojën për vijimin e inspektimeve, forcimin e bashkëpunimit institucional dhe ndjekjen e zbatimit të kërkesave për bllokimin e transmetimeve të paligjshme.