Autoriteti i Mediave Audiovizive, në bashkëpunim me qytetarët dhe platformën TikTok, vijon punën për identifikimin, shqyrtimin dhe adresimin e përmbajtjeve që bien ndesh me kërkesat ligjore. Sipas të dhënave më të fundit, deri tani janë hequr nga platforma 38 përmbajtje të dëmshme dhe 1221 foto/video të raportuara për pirateri.
Nga momenti i raportimit deri më tani janë administruar dhe trajtuar 170 ankesa të ardhura në AMA. Nga këto, 58 raste janë identifikuar si shkelje të ligjit. Prej tyre, 38 video/audio janë hequr nga platforma, ndërsa 20 të tjera vijojnë të jenë në proces shqyrtimi.
Nga 38 përmbajtjet e hequra, 20 video lidhen me ekspozimin e fëmijëve ndaj pornografisë, narkotikëve, alkoolit, duhanit dhe dhunës. Ndërkohë, 17 video janë hequr për nxitje të dhunës dhe urrejtjes, ndërsa 1 audio për përdorim të gjuhës që tejkalon standardet morale dhe etike.
Sa i përket piraterisë së produktit audioviziv shqiptar, AMA raporton se deri tani janë evidentuar 1221 raste të raportuara për pirateri, të cilat përfshijnë 603 foto dhe 618 video. Si rezultat i ndërhyrjeve, të gjitha përmbajtjet e raportuara janë hequr nga platforma.
AMA thekson se çdo raportim i ardhur është trajtuar në përputhje me kuadrin ligjor dhe në bashkëpunim me platformën TikTok, me synim mbrojtjen e përdoruesve dhe respektimin e të drejtave të autorit.

