E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Takim dypalësh RSH-BE për funksionimin e institucioneve demokratike

Një delegacion i AMA-s, drejtuar nga kryetarja e Autoritetit, znj. Armela Krasniqi, mori pjesë në takimin dypalësh për funksionimin e institucioneve demokratike që u zhvillua më 16 janar 2023 në Bruksel, në kuadër të negocimit të grupimit të parë të kapitujve të acquis së BE, “Themelorët”.

Znj. Krasniqi prezantoi qasjen e institucionit mbi median në fushatën zgjedhore dhe punën intensive monitoruese të AMA-s gjatë dhe para fushatës zgjedhore, sipas kompetencave të dhëna nga Kodi Zgjedhor i RSH-së.

Kryetarja e Autoritetit informoi në detaj edhe mbi kapacitetet teknike dhe teknologjike të AMA-s në procesin e monitorimit të transmetuesve audiovizivë në mbulimin e aktiviteteve të subjekteve garuese gjatë fushatës zgjedhore. Gjithashtu ajo përmendi përpjekjet dhe kapacitetet e AMA-s për të luftuar dezinformimin në mediat audiovizive dhe garantimin e lirisë së medias.

“Megjithëse në legjislacionin shqiptar aktual për median audio/audiovizive, të ndryshuar, ka një boshllëk në përcaktimin e termit ‘dezinformim’, apo në përgjithësi ‘çrregullim informativ’, legjislacioni përmban edhe elemente që flasin për raportim të balancuar, profesional dhe etik, apo verifikim të fakteve, si dhe të drejtën që ka një palë e dëmtuar për t’u ankuar mbi një përmbajtje të transmetuar/publikuar”- tha ne prezantim znj. Krasniqi.

Njohja, shqyrtimi dhe ndjekja e praktikave më të mira të legjislacionit dhe rekomandimeve të BE mbi lirinë e shprehjes dhe garantimin e mbrojtjes nga dezinformimi, ishte një tjetër aspekt qe u përmend gjatë takimit.

Institucione të tjera raportuese për këtë tematikë ishin Kuvendi i Shqipërisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Perpara Njoftim shpallje për vend të lirë pune Përgjegjës i Sektorit të Monitorimit të Përmbajtjes, në Drejtorinë e Monitorimit dhe Analizës

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara