Me ftesë të Drejtorit të Radio Vatikanit në gjuhën shqipe, Dom David Xhuxha, një delegacion i Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA, po zhvillon takime pune në redaksinë e këtij stacioni, që ka nisur nga transmetimi që gjatë periudhës së regjimit komunist në vendin tonë.
Delegacioni i Autoritetit ka në përbërje Kryetarin, z. Gentian Sala, Zëvendëskryetarin z. Sami Nezaj, anëtarin e bordit z. Agron Gjekmarkaj dhe Drejtorin e Programacionit z. Arben Muka.
Në takimet që janë zhvilluar është folur për radiot religjoze në vendin tonë, ndikimin dhe angazhimin e tyre për të evidentuar tolerancën dhe bashkëjetesën mes besimeve të ndryshme. Është vlerësuar bashkëpunimi mes redaksive të radiove fetare, të besimit mysliman, ortodoks e katolik, si dhe përpjekjet që bëjnë për larminë programore dhe profesionalizmin.
Përfaqësuesit e delegacionit të AMAs u ftuan dhe në një bisedë në studion e Radio Vatikanit në gjuhën shqipe, ku u nënvizua dhe propozimi për të organizuar në Tiranë një tryezë diskutimi me përfaqësues të të gjithave radiove fetare në Shqipëri, si dhe ku do të ftohen dhe ekspertë të medias e komunikimit, pedagogë dhe kërkues të gazetarisë, klerikë nga të gjitha komunitetet fetare etj.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
2 Korrik 2019