Autoriteti i Mediave Audiovizive, në vijim të angazhimit për luftën kundër piraterisë audiovizive, ka kërkuar dhe siguruar heqjen për të dytën herë të aplikacionit “One IPTV Player” nga Google Play Store.
Pas verifikimeve të reja nga ekipet e inspektimit të AMA-s, është konstatuar se aplikacioni ofronte akses të paligjshëm në paketat Digitalb, Tring, RTSH dhe TV Klan, si dhe në kanalet sportive SuperSport dhe Tring Sport, pa zotëruar të drejtat përkatëse të transmetimit.
Të drejtat e transmetimit respektohen sipas ligjit. Nuk mund të përvetësohet dhe të shfrytëzohet pa autorizim puna dhe investimi i të tjerëve.
Autoriteti vijon gjurmimin hap pas hapi të çdo aplikacioni, platforme apo faqeje që shpërndan në mënyrë të paligjshme përmbajtje audiovizive. Edhe nëse rikthehen me emra apo forma të tjera, do të identifikohen dhe raportohen sërish.
Mbrojtja e produktit audioviziv shqiptar, e të drejtave të autorit dhe e investimeve të ligjshme nuk është një aksion i përkohshëm. Është një angazhim i përditshëm i AMA-s.