Të martën, më 19 nëntor 2019, Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, organizoi në Tiranë Tryezën e Dytë të Diskutimit “Rregullimi ligjor në marrëdhëniet e punës së gazetarëve në transmetimet audiovizive”. Tryeza e Parë po mbi këtë çështje është zhvilluar po nga AMA në bashkëpunim me Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në Kuvendin e Shqipërisë në maj të vitit të kaluar.
Pikërisht dhe propozimet e sugjerimet konkrete që janë bërë nga komuniteti i gazetarëve në Tryezën e Parë ishin pikënisja e diskutimit, ku u përfshinë përfaqësues nga OSHMA-të, shoqatat dhe organizatat që mbrojnë të drejtat e tyre, ligjvënës dhe zyrtarë e eskpertë nga institucionet publike që kanë në fokus marrëdhëniet e punës, profesorë dhe kërkues nga shkencat e komunikimit dhe gazetarisë, përfaqësues nga OSBE etj.
Synimi kryesor i Tryezës ishte hedhja e hapave të mëtejshëm në konceptimin dhe realizimin e një praktike ligjore dhe administrative që garanton siguri dhe kushte më të mira në redaksitë audiovizive, duke u bazuar në marrëdhënie të qëndrueshme mes punëmarrësit dhe punëdhënësit, në trajtimin dinjitoz dhe konform kuadrit ligjor shqiptar, si dhe akteve ndërkombëtare, ku Shqipëria është palë ose ka nënshkruar.
Kryetari i AMA-s, Gentian Sala, në fjalën hapëse evidentoi faktin se Autoriteti gjithmonë ka vlerësuar dhe vlerëson se në ushtrimin e profesionit të tyre gazetarët, redaktorët, reporterët a bashkëpunëtorët merr një rëndësi shumë të madhe respektimi i standardeve të marrëdhënieve të punës, duke i lidhur këto drejtpërdrejt me nivelin e lirisë, pavarësisë dhe integritetit të medias.
“Sikundër dhe në Tryezën e Parë mbi këtë temë po investohemi që të krijojmë një hapësirë të dobishme komunikimi dhe debati profesional dhe ekspertizë mbi gjetjen e zgjidhjeve më të mira, duke ftuar të gjitha palët e interesuara në këtë proces”.
Për kryetarin e AMA-s, jemi në kushtet “kur kemi një pikënisje, kemi një bazë konkrete me propozime nga Tryeza e Parë, ndaj dhe presim që puna të eci më tej. Duke konfiguruar dhe miratuar një sistem rregullativ të qëndrueshëm, që jep impakt pozitiv në performancën, rolin dhe përgjegjësitë e redaksive audiovizive. Pse jo, duke nxitur një proces të natyrshëm zinxhir të reflektimit dhe reagimit mbi marrëdhëniet e punës për të gjithë pjesët e tregut mediatik”.
Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Musa Ulqini, ka vlerësuar inciativën e AMA-s për të diskutuar me gjithë grupet e interesit për një aspekt shumë të ndjeshëm dhe ku ka nevojë për përmirësime ligjore. “Ne do të shikojmë dhe vlerësojmë çdo propozim apo kërkesë që do të na vijë nga shoqatat dhe organizatat e medias, duke i shndërruar këto në amendime dhe rregullime që e bëjnë sa më funksional kuadrin ligjor që fokusohet në marrëdhëniet e punës”.
Kryeinspektori në Inspektoriatin Shtetëror të Punës dhe Çështjeve Sociale, Arben Seferaj, prezantoi në Tryezë disa tregues të këtij institucioni për punësimin në sektorin mediatik, si dhe për transparencën në publikimin e të dhënave përmes informimit virtual. Ai ftoi drejtuesit e shoqatave dhe vetë gazetarët që të ishin bashkëpunues me Inspektoriatin për eficencë në zbatimin e kuadrit ligjor në fuqi dhe për mosdiskrimimin e punëmarrësve.
Shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Histori Filologjisë në Universitetin e Tiranës, prof. asoc. Mark Marku, u fokusua në diskutimin e tij tek garancia që duhet t’u jepet gazetarëve në ushtrimin e profesionit të tyre, në përgatitjen dhe përhapjen e përmbajtjeve. “Gazetari mund të ketë një rrogë të sigurtë, por nëse ai nuk lejohet të ushtrojë i lirë profesionin, atëherë nuk kemi bërë asgjë”.
Kryetari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa, prezantoi për të pranishmit disa nga problemet më të mprehta me të cilat përballen gazetarët, duke vecuar propozimin për krijimin e “Fondit të Asistencës për Gazetarët”, që sipas tij do të jetë një suport i dobishëm për ta, krijuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe agjenci të tjera. Çipa tha se në dekadën e fundit kishte më shumë ndjeshmëri dhe reagim publik për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të gazetarëve shqiptarë.
Përfaqësuesi i Citizen Channel, Lorin Kadiu, paraqiti në Tryezë një përmbledhje të gjetjeve kryesore të një studimi që kjo organizatë ka realizuar së bashku me Qendrën Shqiptare për Gazetari Cilësore, mbi marrëdhëniet e punës së gazetarëve shqiptarë.
Në debat u përfshinë dhe përfaqësues të tjerë të medias, duke nënvizuar nevojën e përmirësimeve ligjore në favor të marrëdhënieve më të mira të punës së gazetarëve, si dhe duke nxitur një proces vetrregullimi për këtë objektiv.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tiranë, 19.11.2019