AMA dhe CRTDSA forcojnë bashkëpunimin institucional për sfidat e medias dhe shërbimeve digjitale

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Znj. Armela Krasniqi, mirëpriti Presidenten e Autoritetit për Radiotelevizionin dhe Shërbimet Digjitale të Qipros (CRTDSA), Znj. Rona Kassapi, si edhe Drejtoren e këtij autoriteti, Znj. Irene Loizidou Nicolaidou, në një takim të zhvilluar në ambientet e AMA-s, me fokus forcimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e përvojave mbi sfidat e reja rregullatore në sektorin e medias audiovizive dhe shërbimeve digjitale.

Gjatë takimit, palët diskutuan mbi sfidat që lidhen me zbatimin e Direktivës për Shërbimet Mediatike Audiovizive (AVMSD), Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA) dhe kuadrit rregullator për platformat e shpërndarjes së videove. Vëmendje e veçantë iu kushtua mekanizmave të trajtimit të ankesave, ushtrimit të kompetencave mbikëqyrëse, mbrojtjes së të miturve, zhvillimeve teknologjike dhe transformimit të tregut mediatik.

Në vijim, përfaqësuesit e AMA-s dhe CRTDSA-së shkëmbyen mendime mbi praktikat e zbatimit të DSA-së, sfidat që shoqërojnë këtë proces, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe trajtimin e rasteve konkrete të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të kompetencave rregullatore.

Gjatë takimit me drejtuesit e drejtorive të AMA-s u prezantuan organizimi institucional, kompetencat dhe mënyra e funksionimit të Autoritetit, si edhe prioritetet e punës në raport me zhvillimet më të fundit në sektorin e medias audiovizive dhe shërbimeve digjitale. Takimi u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe konstruktive, duke u shoqëruar me diskutime profesionale, pyetje-përgjigje dhe shkëmbim përvojash mbi praktikat rregullatore të të dy institucioneve.

Palët theksuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve rregullatore në një kohë kur transformimi digjital dhe evoluimi i ekosistemit mediatik kërkojnë qasje të koordinuara dhe shkëmbim të vazhdueshëm të ekspertizës.

Në përfundim të takimit, AMA dhe CRTDSA ranë dakord të intensifikojnë bashkëpunimin institucional përmes shkëmbimit të ekspertizës, organizimit të vizitave studimore dhe programeve të shkëmbimit të ekspertëve, si edhe zhvillimit të nismave të përbashkëta në kuadër të rrjeteve evropiane dhe platformave rajonale të bashkëpunimit.

Ky angazhim i përbashkët pasqyron vizionin e dy institucioneve për një rregullim modern, efektiv dhe të koordinuar të medias audiovizive dhe shërbimeve digjitale, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe promovimit të një mjedisi mediatik të sigurt e të besueshëm.

Perpara Transparenca AMA–TikTok: Shqyrtohen 263 ankesa, hiqen nga platforma 100 video/audio

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2026 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara

Mirembahet nga INSTANT.AL