Finalizimi i procesit të digjitalizimit në qarqet Tiranë dhe Durrës, çon në pesë numrin e qarqeve në rang vendi, ku tashmë janë mbyllur transmetimet analoge. Me kalimin në transmetimet numerike në këto qarqe, ku është përqendruar numri më i madh i banorëve, rreth 80% e popullsisë tashmë ka akses në transmetimet digjitale.
Përmes kësaj teknologjie, publiku ka mundësi të ndjekë numër më të lartë programesh, (në Tiranë-Durrës transmetohen 38 kanale pa pagesë), mundësohen shërbime më cilësore, ofrohet më shumë mundësi zgjedhje, më shumë interaktivitet, rritet konkurrenca në treg dhe si rrjedhojë nxiten operatorët audiovizivë drejt përmirësimit të cilësisë së programeve televizive.
Ky proces me rëndësi mbarëkombëtar është produkt i një pune të gjatë dhe voluminoze të AMA-s në bashkëpunim me qeverinë, operatorët audiovizivë dhe publikun.
Në funksion të këtij procesi, AMA ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të finalizuar me sukses këtë detyrim, duke plotësuar kuadrin rregullator, licencuar operatorët privatë kombëtarë numerike, koordinuar me operatorët për lirimin e frekuencave të zëna në mënyrë të paligjshme dhe migrimin (zhvendosjen) në frekuencat e përcaktuara, lirimin e brezit DD2 për t’u përdorur për rrjetet mobile. AMA ka ndërmarrë një fushatë të gjerë informuese për publikun përmes të gjithë kanaleve të komunikimit si dhe ka asistuar me strukturën Call Center për të informuar të gjitha shtresat e popullsisë, përfshirë moshën e tretë, të cilët kanë akses të kufizuar në teknologjitë e reja.
Gjithashtu, qeveria shqiptare në kuadër të këtij procesi ka shpërndarë 88 mijë dekodera falas për familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike, ka subvencionuar operatorët audiovizivë për mbulimin e pjesshëm të kostove që shoqërojnë procesin e digjitalizimit, si dhe ka akorduar fonde vjetore për financimin e fushatës së informimit publik.
Autoriteti i Mediave Audiovizive falënderon publikun për mirëkuptimin e treguar në të gjithë ecurinë e këtij procesi tejet sfidues për të gjithë aktorët e përfshirë. Proces i cili sjell një ndryshim rrënjësor në mënyrën e të parit televizor për shoqërinë dhe e rendit Shqipërinë në vendet evropianë të cilat kanë përqafuar teknologjinë e re si një detyrim ndërkombëtar që buron nga Marrëveshja Ndërkombëtare e Gjenevës 2006.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
8 Tetor 2019