Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Znj. Armela Krasniqi, mori pjesë në takimin periodik të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë, ku ishte e ftuar për të raportuar dhe diskutuar mbi “Luftën kundër piraterisë digjitale dhe audiovizive, progresi dhe sfidat në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”. Në takim Znj. Krasniqi ka prezantuar qasjen dhe masat e ndërmarra nga AMA në luftën kundër piraterisë audiovizive.
Në fjalën e saj, Znj. Krasniqi theksoi se pirateria nuk kufizohet më vetëm në kopjimin e paligjshëm të filmave apo përmbajtjeve audiovizive, por është shndërruar në një aktivitet të organizuar që shfrytëzon teknologjinë moderne, serverë të shpërndarë në juridiksione të ndryshme, aplikacione, rrjete sociale dhe platforma online për të shpërndarë përmbajtje të mbrojtur pa autorizimin e mbajtësve të të drejtave. Ajo nënvizoi se ky fenomen përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për funksionimin e tregut audioviziv, cenon konkurrencën e ndershme dhe dëmton operatorët që investojnë në mënyrë të ligjshme në përmbajtje cilësore.
“Konkretisht gjatë vitit 2025 u identifikuan dhe u morën masa për mbylljen e 10 serverëve që operonin brenda territorit të Shqipërisë dhe shpërndanin përmbajtje audiovizive pa të drejta. Gjithashtu u identifikuan 4 serverë me vendndodhje jashtë vendit, në Rumani, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francë, për të cilët, në bashkëpunim me ofruesit ndërkombëtarë të shërbimeve të hostimit, u arrit bllokimi i tyre. Ky është një tregues i qartë se lufta kundër piraterisë nuk kufizohet më brenda kufijve kombëtarë, por kërkon koordinim të vazhdueshëm ndërkombëtar.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar gjithashtu edhe platformave të komunikimit online, të cilat përdoren gjithnjë e më shpesh për promovimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve pirate. Vetëm në platformën Telegram, grupet e inspektimit kanë identifikuar 11 grupe që operonin në shitjen dhe shpërndarjen e paligjshme të produkteve audiovizive, ndërsa, pas raportimeve zyrtare, platforma mbylli 7 prej tyre.
Po aq domethënës ka qenë edhe bashkëpunimi me kompanitë ndërkombëtare të teknologjisë, ofruesit e hostimit, regjistruesit e domeneve, platformat e aplikacioneve, kompanitë e reklamimit dhe ofruesit e shërbimeve të pagesave. Për ta konkretizuar mund t’ju them se gjatë vitit 2026, AMA ka kontaktuar me 20 subjekte të tilla, në kuadër të hetimeve mbi shpërndarjen e paligjshme të kanaleve televizive përmes aplikacioneve dhe shërbimeve IPTV. Nga këto, 13 subjekte ju përgjigjën kërkesave të institucionit:
-
8 ndërmorën masa konkrete duke pezulluar serverë, domene ose duke hequr përmbajtje pirate;
-
3 raste mbeten ende në shqyrtim;
-
ndërsa vetëm 2 nga 13 subjektet që i janë përgjigjur institucionit, refuzuan të ndërhynin.
Si rezultat i këtij bashkëpunimi, AMA identifikoi dhe raportoi dy aplikacione pirate – “Kanali IM” dhe “ShikoShqip” – të cilat u hoqën gjithsej pesë herë nga platforma të ndryshme shpërndarjeje. Platformat e shpërndarjes që kanë hequr aplikacionet pa licencë janë: Google Play Store (2 raste — Kanali IM dhe ShikoShqip), APKPure (Kanali IM), Aptoide (Kanali IM), dhe Uptodown (Kanali IM)”- tha Znj. Krasniqi.
Gjatë prezantimit, Znj. Krasniqi u ndal edhe te rëndësia e përmirësimit të kuadrit ligjor, duke theksuar se ndryshimet e propozuara në ligjin për mediat audiovizive synojnë forcimin e mbrojtjes së të drejtave të transmetimit dhe rritjen e efektivitetit të masave kundër piraterisë. Sipas saj, lufta kundër piraterisë nuk fitohet vetëm përmes sanksioneve, por kërkon një kombinim të instrumenteve ligjore, monitorimit efektiv, bashkëpunimit institucional dhe ndërgjegjësimit publik.
Në përfundim, Kryetarja e AMA-s theksoi se mbrojtja e të drejtave të transmetimit është një element thelbësor për garantimin e një tregu audioviziv të drejtë, konkurrues dhe të qëndrueshëm, duke nënvizuar se lufta kundër piraterisë është një proces i vazhdueshëm që kërkon angazhim të përbashkët të institucioneve, industrisë audiovizive dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Të ftuar në takim, përfaqësuesit e mediave shprehën shqetësimin e tyre mbi piraterinë digjitale duke shtuar se dëmet që vijnë nga ky fenomen janë të mëdha.
Ndërkaq Kryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Z. Taulant Balla, u kërkoi Autoritetit të Mediave Audiovizive, AKEP-it, Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të nënshkruajnë, brenda 30 ditëve, një memorandum bashkëpunimi për ngritjen e një task-force të përbashkët kundër piraterisë digjitale, duke marrë si referencë modelin italian. Ai theksoi se kjo task-forcë duhet të koordinojë veprimet ndërinstitucionale për luftën kundër piraterisë dhe forcimin e sigurisë në hapësirën digjitale, në përputhje me standardet europiane. Z. Balla nënvizoi se lufta kundër piraterisë digjitale është një element i rëndësishëm në procesin e integrimit europian dhe bëri të ditur se rezultatet e punës së task-forcës do të shqyrtohen në një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian gjatë sesionit të ardhshëm parlamentar.
Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian (KKIE) është një organ konsultativ pranë Kuvendit të Shqipërisë, i krijuar për të mbështetur dhe monitoruar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimi Europian. KKIE shërben si një forum bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shtetërore, opozitës, shoqërisë civile, akademisë, biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë.


















