Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Znj. Armela Krasniqi, paraqiti në Kuvend masat e ndërmarra nga institucioni në zbatim të katër rekomandimeve kryesore të Rezolutës për Raportin Vjetor të AMA-s, duke evidentuar rezultatet e arritura në përmirësimin e kuadrit ligjor, forcimin e kapaciteteve monitoruese, mbrojtjen e fëmijëve dhe garantimin e aksesueshmërisë në shërbimet mediatike.
Lidhur me transparencën e reklamës institucionale, u bë e ditur se AMA vijon monitorimin mujor të peshës së saj në televizionet kombëtare, ndërsa për vitin raportues reklama institucionale zuri 2.31% të volumit të reklamave në Top Channel, 1.09% në TV Klan, 2.92% në Vizion Plus dhe 13.86% në RTSH 1. Krahas monitorimit, institucioni ka kontribuar në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet evropiane, ndërsa aktualisht është në konsultim publik projekt-rregullorja që rregullon transparencën e fondeve publike të reklamave shtetërore.
Në drejtim të forcimit të kapaciteteve monitoruese, AMA theksoi zhvillimin e trajnimeve me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, si dhe organizimin e një programi të posaçëm gjatë muajit korrik, në bashkëpunim me Këshillin e Europës, për monitorimin e gjuhës së urrejtjes, diskriminimit, çrregullimit të informacionit dhe proceseve zgjedhore.
Sa i përket mbrojtjes së fëmijëve dhe respektimit të etikës në transmetime, gjatë vitit raportues janë shqyrtuar 432 ankesa, ndërsa Këshilli i Ankesave ka dhënë 30 tërheqje vëmendjeje dhe 3 sanksione financiare. Paralelisht, AMA ka zgjeruar programin kombëtar të edukimit mediatik në institucionet e arsimit parauniversitar dhe ka zhvilluar fushata ndërgjegjësuese në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri.
Në zbatim të rekomandimit për rritjen e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara, AMA monitoroi 204 OSHMA, ku rezultoi se 49 subjekte nuk disponojnë faqe aktive në internet, 155 subjekte kanë faqe funksionale dhe 94 subjekte kanë kryer përditësime konkrete për përmirësimin e aksesueshmërisë. Institucioni ka ndërmarrë gjithashtu masa për përmirësimin e aksesueshmërisë edhe në faqen zyrtare të AMA-s, duke shtuar funksionalitete të avancuara për përdoruesit me aftësi të kufizuara.
Në përfundim të raportimit u theksua se zbatimi i rekomandimeve të Kuvendit mbetet një proces i vazhdueshëm, me fokus forcimin e transparencës, përafrimin me standardet evropiane, rritjen e kapaciteteve monitoruese, mbrojtjen e fëmijëve dhe garantimin e një mjedisi mediatik sa më gjithëpërfshirës.


