Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Znj.Armela Krasniqi, ka reaguar pas publikimit të videos ku shfaqet dhuna e ushtruar ndaj një vajze të mitur, duke u bërë thirrje mediave dhe qytetarëve të mos kontribuojnë në përhapjen e këtyre pamjeve. Më poshtë reagimi i plotë:

Në rrjetet sociale dhe platformat online po qarkullon prej orësh një përmbajtje e regjistruar së fundmi, me pamje të qarta të ushtrimit të dhunës ekstreme dhe bullizimit të një vajze, nga dy vajza të tjera.
Thirrje për kujdes për çdo përmbajtje dhune, që lidhen me ngjarjen e rëndë, të publikuar në rrjetet sociale. Vetëm sot, në përgjigje të ankesave të publikut, për përmbajtjet e dhunës të publikuara në platformën TikTok, me të cilën kemi bashkëpunim, kemi raportuar dhe bllokuar 3 video të denoncuara. Të tjera janë ende në proces shqyrtimi nga platforma.
Duke pasur parasysh se shpesh, materiale të tilla nga rrjetet sociale e platformat online, përfundojnë edhe në ekranet televizive, qoftë edhe duke mbajtur qëndrime mospajtuese me aktet e dhunës dhe bullizimin, ju bëj thirrje redaksive që të tregohen profesioniste dhe me etikë në pasqyrimin e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe shqetësuese për opinionin publik.
Pritmëria është që ky rast të mos përdoret për sensasion a qëllim “klikimi”, por të tregohet kujdes për të mbrojtur viktimën e dhunës nga identifikimi, të udhëhiqen nga parimi i interesit më të lartë të fëmijës dhe nga detyrimi ligjor për garantimin e privatësisë dhe mbrojtjen e identitetit të të miturve të përfshirë në ngjarje.
STOP shpërndarjes dhe përhapjes së dhunës!
Dhuna sjell dhunë!
Të gjithë mund të kontribuojmë në parandalimin e goditjeve të tjera psikologjike, në kushtet traumatike ku ndodhet viktima!
AMA po vijon monitorimin e përmbajtjeve të transmetuara nga OSHMA-të, për të identifikuar shkeljen e kërkesave të ligjit 97/2013, si dhe Kodit të Transmetimit.
Çdo shkelje do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi.
Perpara AMA raporton në Kuvend për zbatimin e Rezolutës: Avancim në transparencë, monitorim, mbrojtjen e fëmijëve dhe aksesueshmëri

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2025 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara

Mirembahet nga INSTANT.AL