Në kuadër të fushatës “Kompetencë mediatike për moshat shkollore”, Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), znj. Armela Krasniqi, së bashku me Kryetaren e Këshillit të Ankesave, znj. Mirela Oktrova, zhvilluan një takim me nxënësit e gjimnazit “28 Nëntori” në Shkodër, ku në fokus ishte rëndësia e edukimit mediatik dhe sfidat që shoqërojnë përdorimin e teknologjisë dhe komunikimin në mjedisin digjital.
Gjatë bashkëbisedimit me nxënësit, u diskutua mbi ndryshimet që teknologjia ka sjellë në mënyrën e komunikimit dhe të aksesit në informacion, si dhe mbi nevojën për të zhvilluar aftësitë e të menduarit kritik përballë fluksit të përditshëm të përmbajtjeve online.
Znj. Krasniqi tha se edukimi mediatik është thelbësor për t’i ndihmuar të rinjtë të kuptojnë më mirë mjedisin digjital, të vlerësojnë në mënyrë kritike informacionin që konsumojnë dhe të bëjnë zgjedhje të informuara e të përgjegjshme gjatë përdorimit të internetit.
Ajo theksoi gjithashtu se, krahas mundësive të shumta që ofron teknologjia, përdorimi i saj shoqërohet edhe me rreziqe, si gjuha e urrejtjes, keqpërdorimi i të dhënave personale, dhuna online dhe ekspozimi ndaj përmbajtjeve të dëmshme. Për këtë arsye, ndërgjegjësimi dhe informimi i vazhdueshëm i të rinjve janë të domosdoshëm për të garantuar një mjedis digjital më të sigurt.
Një mesazh i veçantë iu përcoll nxënësve për rëndësinë e denoncimit të rasteve kur cenohen të drejtat dhe dinjiteti i tyre në internet. Ata u inkurajuan të mos heshtin përballë përmbajtjeve të papërshtatshme apo abuzive, por t’i raportojnë ato pranë institucionit, përmes faqes zyrtare www.ama.gov.al.
Fushata “Kompetencë mediatike për moshat shkollore” do të vijojë edhe gjatë këtij viti të ri akademik në qytete të ndryshme të Shqipërisë, me synimin për të nxitur te nxënësit mendimin kritik, përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë dhe njohjen e të drejtave e përgjegjësive në hapësirën digjitale.
AMA shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin e Ministrisë së Arsimit, Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, si dhe për mësuesit dhe nxënësit e gjimnazit “28 Nëntori” në Shkodër.










