Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Znj. Armela Krasniqi, paralajmëron qytetarët për videot e manipuluara që po qarkullojnë në platformën Facebook, ku përdoren pa autorizim imazhi dhe zëri i mjekut të njohur, dr. Flamur Topi, për reklamimin e produkteve shëndetësore.
Në njoftimin e saj, Znj. Krasniqi bën të ditur se AMA është vënë në dijeni nga familjarët e mjekut për këto përmbajtje. Sipas raportimit, fragmente nga emisione të vjetra “Trupi dhe shëndeti”, të transmetuara në RTSH, janë manipuluar përmes inteligjencës artificiale, duke krijuar përshtypjen se dr. Flamur Topi rekomandon produkte të caktuara.
Znj. Krasniqi tërheq vëmendjen se rreziku nga këto përmbajtje shkon përtej keqinformimit shëndetësor. Ato mund të përdoren për t’i orientuar qytetarët drejt faqeve të dyshimta, ku mund t’u kërkohen të dhëna personale dhe bankare, duke i ekspozuar ndaj mashtrimit.
Këto praktika shfrytëzojnë besimin e publikut te figura të njohura dhe profesionistë të respektuar, duke synuar veçanërisht qytetarët më pak të familjarizuar me teknologjinë digjitale. Përmbajtje të tilla mund të qarkullojnë edhe në formën e reklamave të sponsorizuara.
Në këto kushte, AMA u bën thirrje qytetarëve të verifikojnë burimin dhe vërtetësinë e videove dhe reklamave që premtojnë shërimin e sëmundjeve, edhe kur në to shfaqen figura të njohura. Gjithashtu, këshillon të mos blejnë produkte shëndetësore pa u konsultuar me mjekun, të mos klikojnë lidhje të dyshimta dhe të mos japin të dhëna personale apo bankare.
Përmbajtjet e dyshuara si të manipuluara mund të raportohen në platformat ku publikohen, si dhe pranë AMA-s, përmes faqes zyrtare www.ama.gov.al.
Inteligjenca artificiale mund të imitojë fytyrën dhe zërin e një personi, duke krijuar materiale që duken të besueshme. Për këtë arsye, verifikimi i informacionit është një hap i domosdoshëm për mbrojtjen e shëndetit, të dhënave personale dhe sigurisë financiare të qytetarëve.