Turi i tryezave të diskutimit për frenimin e piraterisë në internet janë ndalur në qarkun e Shkodrës dhe Lezhës. Kryetarja e AMA-s Znj. Armela Krasniqi u ka shpjeguar përfaqësuesve të kabllorëve të autorizuar nga AMA, në këto dy qarqe, se Autoriteti i Mediave Audiovizive është e bindur në luftën kundra piraterisë ndërsa diskutoi format konkrete për zgjidhjen e këtij problemi.
“Pasi kemi kaluar fazën e konsultimit publik, ne do t’i çojmë propozimet tona për ndryshime ligjore në parlament”, u shpreh kryetarja e AMA-s Znj.Krasniqi teksa dëgjoi problematikat e subjekteve të ligjshëm, në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës.
Transmetimet pirate të përmbajtjeve audiovizuale, nga subjekte të pa licencuara nga AMA është një nga shqetësimet kryesore të tregut audioviziv dhe një nga objektivat kryesorë të punës në AMA. Me zhvillimin e teknologjisë janë shtuar edhe rastet e piraterisë, të kryera kryesisht nga subjekte ISP, që përveç internetit, ofrojnë në mënyrë të paligjshme edhe produkt audioviziv. Çka natyrshëm është kthyer edhe në problem dhe shqetësim për subjektet e ligjshëm që operojnë prej vitesh në treg, duke respektuar rregullat dhe legjislacionin në fuqi.
“Shtimi i subjekteve ISP, që ofrojnë në mënyrë të paligjshme produkt audioviziv, po dëmton konkurrencën dhe subjektet e ndershëm, dhe ne nuk do rreshtim së luftuar kundrejt tyre”- garantoi kryetarja e AMA-s Znj. Armela Krasniqi.
Tryezat e diskutimeve në luftë kundra piraterisë do të shtrihen në të gjitha qarqet e vendit.