Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) organizoi më 20 janar 2023, në Berat, tryezën e nëntë të këshillimit publik, në kuadrin e rishikimit të Kodit të Transmetimit.
Tryeza pati karakter gjithëpërfshirës, ndonëse si paraqitja ashtu edhe diskutimet pasuese u përqendruan me përparësi te “Barazia gjinore dhe mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës në transmetimet audiovizive”, te “Respektimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe aksesi i tyre në transmetimet audiovizive”, te “Parandalimi dhe luftimi i gjuhës së urrejtjes” si edhe tek “E drejta për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale”.
Pjesë e këshillimit u bënë përfaqësues të OSHMA-ve, organizatave të shoqërisë civile, botës akademike, institucioneve arsimore, institucioneve lokale, etj. Diskutimi evidentoi sërish fort nevojën e ballafaqimit të qasjeve, qëndrimeve dhe pritshmërive të grupeve të ndryshme të interesit kundrejt produktit audioviziv dhe ofruesve të tij si edhe domosdoshmërinë e njohjes së thelluar të dokumenteve ligjore dhe nënligjore që rregullojnë veprimtarinë audiovizive.
Kryetarja e Këshillit të Ankesave, Mirela Oktrova, paraqiti shkurt procesin e rishikimit të Kodit të Transmetimit në përmbushje të detyrimeve të rrjedhura prej Planit Strategjik 2021-2023 të Autoritetit, kërkesave të zhvillimit teknologjiko – shoqëror dhe standardeve ndërkombëtare.
Ajo iu referua risive, që Projektkodi ofron, ekuilibrave, që procesi i rishikimit të tij tenton të ruajë dhe rëndësisë, që këshillimi publik ka për standardin e një akti nënligjor, që në përfundim të procesit duhet të plotësojë si detyrimet ashtu edhe pritshmëritë e të gjitha palëve. Referuar ndjeshmërive, që shoqëruan diskutimin për respektimin e së drejtës për privatësi nga njëra anë paralelisht me lirinë e shprehjen dhe të drejtën për informim, Oktrova theksoi rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrave si nga mediat ashtu edhe nga institucionet, pasi e drejta për informim nuk mund të justifikojë shkeljen e të drejtave të tjera themelore, si ruajtja e të dhënave personale, prezumimi i pafajsisë apo e drejta për të harruar, ashtu sikurse detyrimi për ruajtjen e privatësisë nuk mund të shërbejë si justifikim për t’u shmangur nga llogaridhënia apo detyrimi për transparencë.
Pjesëmarrësit në diskutim u interesuan veçanërisht dhe duke ilustruar me shembuj konkretë për format e miratimit të prindit në rastet e intervistimit të fëmijëve, evidentuan lloje të ndryshme identifikimi të viktimave të abuzimit (gra ose/dhe fëmijë) në edicionet informative dhe formatet investigative, raste të intimidimit të fëmijëve në kuadrin e intervistimit të tyre të paparajmëruar (psh. në shkolla apo institucione të tjera edukimi), shtruan nevojën e korregjimit të qasjes së mediave ndaj rasteve problematike, për të synuar nxitjen e reagimit të institucioneve dhe jo sensacionin, ngritën domosdoshmërinë e unifikimit të standardit midis medias dhe institucioneve në administrimit e të dhënave personale dhe theksuan fort nevojën e trajnimeve të integruara (media dhe administratë publike) lidhur me standardet e informimit dhe shkëmbimit të të dhënave si edhe detyrimet ligjore përkatëse të të gjitha palëve.
Ekspertja e angazhuar nga AMA për hartimin e Kodi të ri të Transmetimit, Prof. Dr. Vasilika Hysi, në cilësinë e juristes dhe njohëses së lirive dhe të drejtave të njeriut, prezantoi në mënyrë të detajuar ndryshimet e propozuara. Referuar metodologjisë së procesit, Hysi shpjegoi se në Projektkod është zgjeruar dhe plotësuar baza ligjore, janë përditësuar parimet, janë shtuar përkufizimet dhe është diversifikuar gama e formulimeve – nga rekomandimet te detyrimet, natyrisht në përputhje me llojin e shkeljes apo shmangies së fokusuar. Gjatë paraqitjes së seksioneve të reja, ajo u ndal veçanërisht te “Barazia gjinore”, duke veçuar synimin për promovimin e barazisë, shmangien e seksizmit dhe diskriminimit për shkak të gjinisë dhe te “Gjuha e urrejtjes”, me fokus shmangien e gjuhës së urrejtjes dhe promovimin e diversitetit.
Autoriteti i Mediave Audiovizive inkurajon të gjithë aktorët dhe faktorët që të konsultohen me projektkodin dhe të bëjnë komentet ose propozimet e tyre lidhur me të.
Fushata e këshillimit publik për Kodin e Ri të Transmetimit planifikohet të vazhdojë deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti. Gjatë gjithë kësaj kohe, Projektkodi i plotë i Transmetimit do të qëndrojë i publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit të Mediave Elektronike – në rubrikën Këshillimi publik – për të garantuar akses të plotë në dokument, jo thjesht dhe vetëm të OSHMA-ve dhe grupeve të tjera të interesit, por edhe të publikut të gjerë – si për t’u njohur me të, ashtu edhe për të formuluar vërejtje, komente dhe propozime për aspekte të caktuara të tij.