Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), organizoi në Shkodër, më 13 tetor 2022, tryezën e pestë të këshillimit publik, në kuadrin e rishikimit të Kodit të Transmetimit.
Në ndryshim prej katër tryezave paraprirëse me karakter tematik, të zhvilluara në Tiranë, tryeza e zhvilluar në Shkodër pati karakter gjeneralist. Por ndonëse si paraqitja ashtu edhe diskutimet e nxitura prej saj, prekën të gjithë kapitujt e Projektkodit, vëmendja kryesore u përqendruar veçanërisht te “Barazia gjinore dhe mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës në transmetimet audiovizive”, te “Respektimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe aksesi i tyre në transmetimet audiovizive”, te “Parandalimi dhe luftimi i gjuhës së urrejtjes” si edhe tek “E drejta për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale”.
Pjesë e këshillimit u bënë përfaqësues të OSHMA-ve, organizatave të shoqërisë civile, botës akademike, institucioneve arsimore, institucioneve lokale, etj.
Edhe kjo tryezë shërbeu si një hapësirë e dobishme diskutimi me të gjitha grupet e interesit përkitazi Projektodit të Transmetimit në përgjithësi, duke u ndalur veçanërisht te detyrimet dhe vështirësitë e profesionistëve të medias në luftimin e shfaqjeve të diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes pavarësisht lirisë së shprehjes, në respektimin e së drejtës për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale pavarësisht së drejtës për informim si edhe në respektimin e barazisë gjinore, interesit më të lartë të fëmijës dhe të drejtave të personave me aftësi të kufizuar në transmetimet audiovizive.
Kryetarja e Këshillit të Ankesave, Zj. Mirela Oktrova, bëri një paraqitje të shkurtër të procesit të deritanishëm të rishikimit të Kodit të Transmetimit në përmbushje të detyrimeve të rrjedhura prej Planit Strategjik 2021-2023 të Autoritetit dhe kërkesave të zhvillimit shoqëror dhe teknologjik. Ajo u ndal veçanërisht te rëndësia e njohjes së terminologjisë, koncepteve dhe përkufizimeve, me të cilat Projektkodi operon, për të garantuar koherencë me zhvillimin shoqëror dhe teknologjik nga njëra anë dhe përafrim e përputhje me standardet ndërkombëtare, nga ana tjetër. Referuar qasjes së përgjithshme të procesit të rishikimit të Kodit të Transmetimit dhe këshillimeve publike në këtë kuadër, Kryetarja e Këshillit të Ankesave tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrit midis të drejtave relevante në kuadrin e veprimtarisë audiovizive, konkretisht midis lirisë së shprehjes dhe së drejtës për informim nga njëra anë dhe të drejtës së privatësisë, prezumimit të pafajsisë, mbrojtjes së të dhënave personale dhe të drejtave të komuniteteve të prekura, nga ana tjetër.
Përfaqësuesit e OSHMA-ve dhe grupeve të interesit u ndalën te publikimi i pamjeve të rënda ose të papërshtatshme në orare që mund të ndiqen fëmijët, te problemet e intervistimit dhe paraqitjes së fëmijëve, te përpjekjet për shmangien e dezinformimit, stereotipizimit negativ dhe stigmatizimit të komuniteteve të caktuara shoqërore, në problemet e aksesit përmbajtësor dhe fizik të PAK në mediat audiovizive, etj. Duke e shtrirë diskutimin edhe përtej çështjeve të rishikimit të Kodit të Transmetimit, të pranishmit formuluan edhe disa shqetësime të mediave lokale në tërësi, përfshirë vështirësitë financiare, rritjen e detyruar të peshës së njoftimeve me pagesë në programacion, minutazhin e tejzgjatur të komunikimeve tregtare dhe problemet e tyre etike, nevojën e formateve të dedikuara për pakicat kombëtare dhe shtresat vulnerabël, etj.
Ekspertja e angazhuar nga AMA për analizimin dhe hartimin e Kodi të ri të Transmetimit, Prof. Dr. Vasilika Hysi, në cilësinë e juristes dhe njohëses së çështjeve të lirive dhe të drejtave të njeriut, prezantoi me detaje ndryshimet e propozuara për seksionet në diskutim. Ajo u ndal veçanërisht në rëndësinë e mospublikimit të të dhënave konfidenciale dhe të personave me probleme të shëndetit mendor, ndërgjegjësimit të profesionistëve për pasojat e përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe kufizimit të përhapjes së saj duke iu referuar standardeve ndërkombëtare. Ekspertja u ndal posaçërisht tek e drejta dhe dinjiteti i viktimës, familjes dhe të të afërmve të tij, te domosdoshmëria e përdorimit të gjuhës së shenjave te të paktën një edicion informativ në ditë, te nevoja për shmangien e diskriminimit edhe pozitiv të tyre si dhe te detyrimi për mospërdorimin e të dhënave personale për qëllime përfitimi.
AMA inkurajon të gjithë aktorët dhe faktorët që të konsultohen me draftin dhe të bëjnë propozimet apo sugjerimet e tyre. Me tryëzën e Shkodrës, këshilimi public hyri në fazën e tryezave këshilluese në të gjitha qarqet e vendit.
Afati maksimal i përfundimit të fushatës së këshillimit publik për Kodin e Ri të Transmetimit parashikohet të jetë fundi i tremujorit të parë të vitit 2023. Gjatë gjithë kësaj kohe, Projektkodi i plotë i Transmetimit do të qëndrojë i publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit të Mediave Elektronike – në rubrikën Këshillimi publik – për të garantuar akses të plotë në dokument jo thjesht dhe vetëm të OSHMA-ve dhe grupeve të tjera të interesit, por edhe të publikut të gjerë, si për t’u njohur me të, ashtu edhe për të formuluar vërejtje dhe sugjerime për aspekte të caktuara të tij.