E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Respektimi i sinjalistikës dhe orarit të transmetimit për filmat me skena të papërshtatshme mbron zhvillimin mendor dhe fizik të fëmijëve

Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, në procesin e monitorimit të përmbajtjeve të transmetuara nga OSHMA-të, bazuar në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka realizuar së fundmi shqyrtime të përmbajtjeve në kanalet e dedikuara për filmat.

Janë identifikuar dhe raste kur nuk janë respektuar kërkesat e Kodit të Transmetimit, lidhur me përdorimin e shenjave paralajmëruese (sinjalistika), apo me orarin se kur janë emetuar filmat.

AMA ka nisur shkresa me tërheqje vëmendje për OSHMA-të, duke kërkuar zbatimin e standardit për filmat që kanë dhe përmbajtje të papërshtatshme, në formën e skenave ekstremisht të dhunshme, me pornografi, përdorim të lëndëve narkotike, armëve etj.

Në seksionin 5 të Kodit të Transmetimit, “Fëmijët në transmetimet audiovizive” jepen aspekte të kujdesit që duhet të kenë OSHMA-të për të mos transmetuar “programe që mund të dëmtojnë seriozisht zhvillimin fizik, mendor, ose moral të fëmijëve, në veçanti filma apo programe që përmbajnë pornografi ose që paraqesin skena dhune të skajshme dhe artificiale”, pika 5.30.

Po ashtu në pikën 5.34 saktësohet se: “OSHMA-të duhet të zgjedhin orarin e transmetimit të programeve që mund të dëmtojnë zhvillimin mendor, fizik apo moral të fëmijëve, ose të marrin ndonjë masë tjetër teknike, që fëmijët të mos i shikojnë ose dëgjojnë të tilla transmetime. (Ora kufi 22.00 – 06.00)”. Edhe përdorimi i shenjave paralajmëruese në ekran të “bëhet menjëherë me fillimin e programit apo filmit dhe e shoqëron atë gjatë gjithë kohës së transmetimit. Shenja paralajmëruese rishfaqet para dhe pas të gjitha ndërprerjeve të programit në vijim, deri në përfundim të tij”, pika 5.47, ndërkohë që pika 5.48 sqaron dhe tri llojet e shenjave paralajmëruese që aplikohen.

AMA do të vijojë monitorimin e zbatimit të kërkesave të Kodit të Transmetimit për respektimin e orarit të transmetimit, apo vendosjen e shenjave paralajmëruese për filmat me përmbajtje të dëmshme në zhvillimin mendor dhe fizik të fëmijëve, ku për rastet e konstatuara do të nisë procedimin administrativ, sipas legjislacionit në fuqi.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Perpara Njoftim shpallje për vend të lirë pune, Specialist në Sektorin e Analizës, Drejtoria e Monitorimit dhe Analizës
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara