E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Qarku Korçë – Tryeza e tetë e këshillimit publik në kuadër të rishikimit të Kodit të Transmetimit

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) organizoi më 18 janar 2023, në Korçë, tryezën e tetë të këshillimit publik, në kuadrin e rishikimit të Kodit të Transmetimit.

Tryeza gjithëpërfshirëse në qarkun e Korçës u paraqiti grupeve të interesit qasjen, linjat dhe strukturën e rishikimit të Kodit në tërësi, me fokus te kapitujt “Barazia gjinore dhe mbrojtja e fëmijës në transmetimet audiovizive”, te “Parandalimi dhe luftimi i gjuhës së urrejtjes”, te “Respektimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe aksesi i tyre në transmetimet audiovizive”, si dhe tek “E drejta për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale”.

Në tryezë morën pjesë përfaqësues të OSHMA-ve, Komisionerit lokal për Mbrojtjen nga Diskriminimi, shoqërisë civile, administrates,institucioneve arsimore lokale, etj. Diskutimi evidentoi përgjithësisht një qasje shumëplanëshe, por dhe interesim të veçantë për kapitujt e fokusuar te detyrimet e OSHMA-ve në kuadrin e mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut, shmangies së gjuhës së urrejtjes, respektimit të privatësisë, promovimit të diversitetit si edhe mbrojtjes së kategorive vulnerabël dhe veçanërisht të ekspozuara ndaj diskriminimit, si: gratë, fëmijët, PAK, pakicat kombëtare e sociale, personat me orientim seksual ndryshe, etj.

Kryetarja e Këshillit të Ankesave, Mirela Oktrova, paraqiti shkurt procesin e rishikimit të Kodit të Transmetimit në përmbushje të detyrimeve të rrjedhura prej Planit Strategjik 2021-2023 të Autoritetit, kërkesave të zhvillimit teknologjiko – shoqëror dhe standardeve ndërkombëtare.

Ajo iu referua ekuilibrave, që procesi i rishikimit ka synuar të ruajë dhe risive, që ai ka prodhuar, rëndësisë së këshillimit publik dhe komenteve të vjela prej tij për standardin e dokumentit përfundimtar si edhe rolit, që jo vetëm diskutimi, por edhe takime të tilla të grupeve të interesit luajnë për kalibrimin e interesave, të drejtave dhe detyrimeve të palëve në kuadrin e konsumit të produktit audioviziv dhe komunikimit apo bashkëveprimit në dhe për të.

Përfaqësuesit e OSHMA-ve u ndalën te mungesa e përgjithshme e interesit të profesionistëve për njohjen e detyrimeve, që lidhen me ushtrimin e profesionit të tyre; te cënimi i rëndomtë dhe për rrjedhojë thuajse i paperceptueshëm i së drejtës për privatësi dhe prezumim të pafajsisë; te

ndikimi, që administratorët dhe editorët kanë te puna e profesionistëve të medias në përgjithësi dhe te mosrespektimi i standardit profesional apo etik në veçanti, etj. Në këtë kuadër, përfaqësuesit e RTSH Korçë informuan, se që prej tre vjetësh kanë hequr dorë tërësisht nga publikimi i lajmeve të Kronikës së Zezë, me synim zhvendosjen e vëmendjes nga raportimi për rastin te dukuria dhe rrezikshmëria për komunitetin. Edhe nga diskutimet në vijim, përvoja u pa si një model, që redukton shmangiet e së drejtës për privatësi apo/dhe prezumim të pafajsisë.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile u ndalën tek ekuilibrat, që duhet të respektojë gazetaria investigative. Me shembuj konkretë, ata shtruan nevojën e saktësimit të kufirit midis interesit publik dhe interesit për shikueshmëri në trajtimin e rasteve të pedofilisë. Ata bënë thirrje për më shumë filtra në publikimin e tekstit të komunikimeve të agresorit me viktimën dhe shmangien e zbulimit të identitetit të të dyshuarit, për shkak të pasojave për familjen dhe rrethin e tij. Referuar vështirësive të punës në terren dhe mosnjohjes së akteve ligjore dhe nënligjore, që rregullojnë veprimtarinë e mediave audiovizive, ata vlerësuan informacionin e marrë dhe të shkëmbyer nëpërmjet diskutimit në tryezë si edhe rëndësinë e ndërgjegjësimit të komuniteteve, që përfaqësojnë jo thjesht dhe vetëm për të drejtat por edhe për mekanizmat, me të cilët ata mund të ankohen dhe për rrjedhojë, të ndikojnë tregun audioviziv.

Ekspertja e angazhuar nga AMA për analizimin dhe hartimin e Kodi të ri të Transmetimit, Prof. Dr. Vasilika Hysi, në cilësinë e juristes dhe njohëses së lirive dhe të drejtave të njeriut, prezantoi me detaje ndryshimet e propozuara për seksionet në diskutim. Ajo theksoi rëndësinë e vendosjes së kufizimeve ndaluese për përmbajtjet audiovizive, që nxisin urrejtje ose përçarje shoqërore, rëndësinë e ndërgjegjësimit të profesionistëve për pasojat e përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe nevojën e sensibilizimit të profesionistëve për shmangien e saj, duke iu referuar standardeve ndërkombëtare. Ekspertja u ndal gjithashtu te detyrimet përkitazi barazisë gjinore, interesit më të lartë të fëmijës, të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe prezumimit të pafajsisë si edhe te rekomandimet, që Projektkodi formulon përkitazi stereotipeve gjinore, numrit të formateve për fëmijë apo raportimin drejtpërdrejt nga vendngjarja, në kuadrin e Kronikës së Zezë.

Autoriteti i Mediave Audiovizive inkurajon të gjithë aktorët dhe faktorët që të konsultohen me projektkodin dhe të bëjnë komentet ose propozimet e tyre lidhur me të.

Fushata e këshillimit publik për Kodin e Ri të Transmetimit do të vazhdojë deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti. Gjatë gjithë kësaj kohe, Projektkodi i plotë i Transmetimit do të qëndrojë i publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit të Mediave Elektronike – në rubrikën Këshillimi publik – për të garantuar akses të plotë në dokument, jo thjesht dhe vetëm të OSHMA-ve dhe grupeve të tjera të interesit, por edhe të publikut të gjerë – si për t’u njohur me të, ashtu edhe për të formuluar vërejtje, komente dhe propozime për aspekte të caktuara të tij.

Perpara Qarku Kukës – Tryeza e shtatë e këshillimit publik në kuadër të rishikimit të Kodit të Transmetimit

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2021 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara