Sekretarja e Përgjithshme e Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe drejtues të lartë të institucionit, kanë pritur sot në një takim, delegacionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, i përbërë nga Koordinatorja Speciale e Misionit të përkohshëm vëzhgues të zgjedhjeve të 11 Majit, Farah Karimi, Ambasadori, Andreas Nothele dhe Sherif Abdili, Zyrtar Sekretariatit Ndërkombëtar të OSBE-së.
Përfaqësuesit e AMA-s iu përgjigjën interesit të ekspertëve mbi procesin e monitorimit, fokusin ku ky proces përqendrohet gjatë zgjedhjeve, por edhe për metodologjinë e monitorimit dhe analizës së përmbajtjeve në përgjithësi.
Sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, monitorimi i fushatës zgjedhore në mediat audiovizive kryhet nga AMA. Ky monitorim kryhet në të gjithë territorin ku zhvillohen zgjedhjet dhe Autoriteti i pasqyron gjetjet e veta në raporte të detajuara, të cilat ia paraqet KQZ-së për kompetencë. Në zbatim të Kodit Zgjedhor, KQZ ka miratuar Metodologjinë e monitorimit të medias audio dhe audiovizive, akt në të cilin parashikohen procedurat dhe teknikat që ndjek AMA, gjatë monitorimit të fushatës zgjedhore.
Tema të diskutimit ishte edhe mënyra e mbulimit të fushatës nga mediat audiovizive, gjuha e urrejtjes, e drejta për informim etj. Delegacioni ka vizituar studion e monitorimit dhe është njohur më nga afër me metodën e monitorimit, jo vetëm të fushatës por edhe të medias audio dhe audiovizive në Shqipëri.
Me nisjen zyrtarisht të fushatës zgjedhore, ekipet e monitorimit në AMA janë plotësisht të angazhuar në procesin e monitorimit të fushatës zgjedhore nga mediat audio dhe audiovizive. Për këtë arsye Autoriteti u ka kërkuar OMSHA-ve ruajten e profesionalizmit në raportim dhe respektimin e kërkesave të Kodit Zgjedhor. Në thirrjen drejtuar OSHMA-ve, para fillimit të fushatës, Autoriteti u ka kërkuar operatorëve të kenë raportime sa më profesionale dhe etike, analiza të balancuara, organizim të debateve zgjedhore në mënyrë profesionale dhe me etikë komunikimimi, duke shmangur në çdo rast fyerjet apo denigrimet personale mes të ftuarve dhe qëndrimet partizane të moderatorëve. Kjo jo vetëm në respekt të kërkesave të Kodit, por dhe të interesimit dhe vëmendjes së shtuar të qytetarëve mbi procesin zgjedhor të 11 Majit.