E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Kryetarja e AMA-s pret grupin e deputetëve të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Diskutohen punët e kryera dhe angazhimet e reja të AMA-s

Kryetarja e AMA-s, znj. Armela Krasniqi ka pritur një grup deputetësh të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, të kryesuar nga nënkryetarja e këtij komisioni, znj. Evis Kushi. Takimi është zhvilluar në ambjentet e AMA-s, në kuadër të funksioneve të monitorimit dhe kontrollit parlamentar për institucionet e pavarura.

Znj. Krasniqi i ka njohur nga afër anëtarët e Komisionit me investimet bashkëkohore në infrastrukturë dhe me stafin e AMA-s e më pas me rezultatet pozitive të punës, të arritura deri tani. Një vëmendje të veçantë deputetët kanë treguar për angazhimet dhe detyrat e reja të AMA-s, të vendosura për vitin 2024, por edhe në plan më afatgjatë. Kryetarja Krasniqi ka prezantuar propozimet për ndryshime në ligjin organik të AMA-s, nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, që aktualisht janë shtruar për konsultim publik. Biseda është përqendruar edhe në futjen e konceptit të Matjes së Audiencës në ligj dhe punën që po bën AMA, me organizimin e tryezave të diskutimit me operatorët audioviziv dhe agjencitë e mëdha të marketingut, për nxitjen e procesit të matjes së audiencës, si një instrument i rëndësishëm për vetë operatorët, por edhe për mbarëvajtjen dhe transparencën e tregut audioviziv në Shqipëri.

Një vend të rëndësishëm në takim ka zënë edhe impenjimi i AMA-s në bashkëpunimet me rrjetet dhe entet rregullatore të vendeve europiane, por edhe në qasjen dhe përditësimin me legjislacionin dhe aktet europiane që lidhen me median.

Gjatë takimit, deputetët kanë ngritur pyetje dhe kanë diskutuar mbi aktualitetin e tregut mediatik audioviziv në Shqipëri dhe metodologjinë e ndjekur për rregullimin e këtij tregu, bazuar në sfidat aktuale të diktuara nga zhvillimi teknologjik dhe qasjen e kësaj metodologjie mbështetur në direktivat e BE-së.

Perpara Nisma e AMA-s, “Fol Shqip” – Publikohen gjetjet e javës së tretë të Janarit
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara