Përafrimi i legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së, ekipi i AMA zhvillon takim me ekspertin ndërkombëtar Martin Dorociak

Ekipi i Autoritetit të Mediave Audiovizive nën drejtimin e Kryetares së Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, ka zhvilluar një takim me ekspertin ndërkombëtar ligjor Martin Dorociak, në kuadër të përpjekjeve për forcimin e kapaciteteve profesionale dhe përafrimin e kuadrit rregullator shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.

Angazhimi i ekspertit Martin Dorociak është bërë i mundur përmes një projekti të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, që synon forcimin e lirisë dhe qeverisjes së medias në vend.

Në takim ishin të pranishëm dhe Sekretari i Përgjithshëm i AMA-s, Znj. Ronelda Rapollari dhe Drejtori i Kabinetit, Znj.Alida Cenaj.

Gjatë takimit me ekipet e AMA-s, në fokus ishin disa prej çështjeve kryesore që lidhen me zhvillimet e reja në sektorin mediatik, ndër to transparenca e influencerëve dhe reklamave, volumi i reklamave që shfaqen në formatin split-screen, si dhe transparenca e pronësisë së medias.

Çështjet u trajtuan në raport me kuadrin aktual rregullator në Shqipëri dhe përputhshmërinë e tij me zhvillimet dhe standardet europiane. Në diskutime u referuan ndër të tjera Direktiva për Shërbimet e Mediave Audiovizive (AVMSD), Akti Europian i Lirisë së Medias (EMFA) dhe Akti i Shërbimeve Digjitale (DSA), si edhe instrumente të tjera të Bashkimit Europian.

Sipas kryetares së AMA-s, Armela Krasniqi, ky bashkëpunim synon të kontribuojë në njohjen e një kuadri rregullator më transparent, efektiv, të pavarur dhe të harmonizuar me standardet europiane.

Krasniqi theksoi rëndësinë e takimit për të kuptuar më konkretisht realitetet e reja mediatike dhe zhvillimet në legjislacionin europian, të cilat pritet të reflektohen edhe në kuadrin ligjor shqiptar.

“Përshtatja ligjore dhe transpozimi në legjislacionin tonë i akteve të rëndësishme europiane është një prej shtyllave kryesore të punës së AMA-s”, u shpreh Krasniqi, duke vlerësuar njëkohësisht bashkëpunimin e vazhdueshëm me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri.

Sipas saj, mbështetja e OSBE-së ndër vite nuk është kufizuar vetëm në aktivitete apo projekte të veçuara, por ka përfshirë edhe procese më të gjera që lidhen me afrimin e institucionit, legjislacionit dhe praktikës rregullatore shqiptare me standardet europiane.

Takimi me ekspertin ndërkombëtar vjen në kuadër të procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian, ndërsa zhvillimet teknologjike dhe ndryshimet në mënyrën e konsumit të medias po sjellin sfida të reja për rregullimin e sektorit audioviziv.

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2026 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara

Mirembahet nga INSTANT.AL