E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Forumi i të Drejtave Themelore 2024/ Të drejtat e njeriut përballë sfidave të shtuara nga ndryshimeve klimatike, teknologjia dhe kërcënimet ndaj demokracisë dhe hapësirës qytetare

Kryetarja e AMA-s, znj. Armela Krasniqi ka marrë pjesë në Forumin e të Drejtave Themelore 2024, mbajtur në Vjenë të Austrisë. Organizimi i këtij viti ishte konceptuar si një hapësirë unike për dialog dhe një vend për të eksploruar sfidat urgjente të të drejtave të njeriut, me të cilat përballet Europa sot. Duke i dhënë një vend në tryezën e të drejtave të njeriut aktorëve tradicionalë dhe jotradicionalë të të drejtave të njeriut, Forumi bashkoi një gamë të ndryshme zërash – institucionet e BE-së dhe jo vetëm, qeveritë, organet e të drejtave të njeriut, akademinë, shoqërinë civile, të rinjtë, botën e biznesit, dhe komunitetet artistike, argëtuese, sportive dhe besimtare. Sfida e aktivitetit të këtij viti ishte t’i bënte bashkë të gjthë këta aktorë aktivë të shoqërisë, në mënyrë që të diskutohen të drejtat themelore në këndvështrim të aktualitetit të sotëm dhe sfidave të së nesërmes.

Forumi u zhvillua në ambjentet e Bashkisë së Vjenës dhe në nisje u përshëndet nga Presidenti austriak, Alexander Van der Bellen. Në ceremoninë e hapjes përshëndetën dhe dhanë këndvështrimet e tyre edhe Zv/Presidentja e Komisionit Europian, Vera Jourova, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Europës, Marija Pejcinovic Buri, Drejtorja e Agjencisë Europiane për të Drejtat e Njeriut, Sirpa Rautio, Kryetari i Bashkisë së Vjenës, Michael Ludwi etj.

Fokusi i këtij Forumi ishte tek sfidat e të drejtave, të lidhura me tre tema kryesore: ndryshimet klimatike, përparimet teknologjike dhe kërcënimet ndaj demokracisë dhe hapësirës qytetare.

Në tryezat e parashikuara, me pjesëmarrje të gjerë dhe të larmishme u diskutuan argumente të ndryshme, si mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit; zgjedhje të lira dhe të ndershme – pjesëmarrje, përfaqësim, dezinformim; tranzicioni i gjelbër – Formimi i një Europe të qëndrueshme shoqërore dhe mjedisore; Digjitalizimi dhe njerëzit: parandalimi i diskriminimit, duke mundësuar solidaritetin social; hetimet digjitale: Përdorimi i teknologjive me burim të hapur për të dokumentuar abuzimet e të drejtave të njeriut; Digjitalizimi dhe siguria etj.

Gjatë këtyre tyrezave, ku objektiv ishte edhe liria e shprehjes, masat dhe e ardhmja, Kryetarja e AMA-s, Znj. Krasniqi u takua me përfaqësuesen e lartë të OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro. Biseda u përqendrua tek ndryshimet ligjore që AMA ka propozuar dhe që parashikojnë rritjen e luftës kundër piraterisë, futjen e Matjes së Shikueshmërisë si koncept; tek nxitja e procesit të Matjes së Shikueshmërisë që AMA ka ndërmarrë me OSHMA-të vendase; për shqyrtimin e numrit të madh të ankesave që vijnë në AMA, por edhe për hapat që parashikohet të hidhen për mbrojtjen e gazetarëve.

Përveç tryezave të diskutimit, Forumi përfshinte edhe realizmin e Podcast-ve ku pjesëmarrësit e interesuar mund të ngrinin pyetje, shqetësime ose të jepnin mendimet e tyre mbi çështjet me të nxehta, sa i takon të drejtave themelore. Sesionet e Masterklasave, të zhvilluara nga ekspertë të njohur, nga sferat e qeverisë, shoqërisë civile, medias, biznesit dhe sportit, ishin gjithashtu me interes. Qëllimi i këtyre Masterklasave ishte fuqizimi, edukimi dhe frymëzimi i të gjithë pjesëmarrësve në Forum për një të ardhme më të mirë sa i takon mbrojtjes së të drejtave themelore!

Në mbyllje u dhanë edhe konkluzionet, në të cilat u theksua rëndësia e mbrotjes së të drejtave themelore në kuadrin e ri social-kulturor në të cilin po jeton bota sot.

Perpara Njoftim shpallje për vend të lirë pune, Drejtor në Drejtorinë e Integrimit dhe Legjislacionit Ndërkombëtar
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara