Nisur nga fenomeni shumë i përhapur, i përdorimit të panevojshëm të fjalëve të huaja, jo vetëm në përditshmëri, por edhe në media, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka njoftuar një nismë që synon të ndihmojë në frenimin e këtij fenomeni. Gjatë javës së parë të janarit, ekipi i Drejtorisë së Monitorimit dhe Analizës ka mbikqyrur përdorimin e fjalëve të huaja nga radiot dhe televizionet.
Nga rezultati i këtij vëzhgimi, janë vënë re përdorime fjalësh të huaja krejt të panevojshme, të cilat janë publikuar bashkë me fjalët shqip që mund të zëvendësojnë këto përdorime të gabuara, që e dëmtojnë gjuhën.
Me besimin se kjo do të ndihmojë në ndërgjegjësimin e punonjësve të medias për mbrojten e gjuhës shqipe, AMA do ta vazhdojë këtë mbikqyrje duke publikuar herë pas here gjetjet dhe alternativat e fjalëve të huaja, në gjuhën shqipe.