Pas ankesave të administruara nga AMA gjatë fundjavës, për mosfunksionimin e shërbimit të shoqërisë “Tring” sh.a., dhe pas verifikimeve të bëra në terren nga ekipi i Drejtorisë së Inspektimit dhe Mbikëqyrjes, është konstatuar se, në disa zona, shërbimi OTT i Shoqërisë “Tring” sh.a. ështe ndërprerë.
Në përputhje me konstatimet dhe referuar pikës 5, të nenit 69, të ligjit 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i rishikuar, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka nisur hetim administrativ për shoqërinë “Tring” sh.a.
Ndërkohë nga komunikimet zyrtare, shoqëria në fjalë ka sqaruar se, “Gjatë datës 23-24 Shtator, si pasojë e një defekti të pavarur teknik të shkaktuar në sistemin e providerit që ka lidhje direkt me sistemin OTT, njëri prej sistemeve OTT të shoqërisë TRING TV ka pësuar një ndërprerje për disa orë në sistemin e transmetimit, nga i cili është afektuar rreth 2% e numrit total të abonentëve që marrin shërbim nga ky sistem. Shoqëria TRING TV ka vijuar me migrimin e këtyre abonentëve në sistemin e ri OTT, për të arritur minimizimin e problematikës së krijuar dhe rikuperimin e shërbimit në ditët në vijim. Për të gjithë abonentët, të cilët janë afektuar nga mungesa e shërbimit, shoqëria “TRING TV” do të bëjë kompesimin e shërbimit për periudhën e munguar, sipas kushteve të kontratës së nënshkruar”.
Në zbatim të dispozitave ligjore, ekipi i Drejtorisë së Inspektimit dhe Mbikëqyrjes në AMA do të vazhdojë të mbajë në monitorim situatën në fjalë, deri në zgjidhjen e plotë të këtij problemi.