E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Kryetarja e AMA-s takim me Bashkë-raporterët e KiE për Shqipërinë

Kryetarja e AMA-s, Znj. Armela Krasniqi ka  pritur në një takim, Bashkë-raporterët e KiE-së për Shqipërinë, Z. Asim Mollazada nga grupi i Konservatorëve Evropianë dhe Aleanca Demokratike, Z. Jonut Stroe i grupit të Partisë Popullore Evropiane dhe Z. Bas Klein, Zëvendëskryetar i Sekretariatit, Komiteti i Monitorimit, të cilët po zhvillojnë vizitën e tyre periodike faktembledhëse në Shqipëri.

Gjatë këtij takimi, Kryetarja Krasniqi u ka prezantuar përfaqësuesve evropian punën e AMA-s dhe rolin si ent rregullator në tregun mediatik në Shqipëri. Në këtë prezantim ajo është ndalur në ndryshimet e bëra, në maj të këtij viti, të ligjit “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, ndryshime në përputhje me Direktivën 2018 të BE-së.

“Kjo ka forcuar më tej kompetencat e AMA-s, duke rritur rolin e saj në inkurajimin e aktorëve dhe transmetuesve që operojnë në tregun shqiptar, për edukimin mediatik të publikut”, ka thënë Znj. Krasniqi. U hodh një hap përpara në rritjen e transparencës së pronësisë së ofruesve të shërbimeve mediatik audioviziv, por edhe u inkurajua vetërregullimi dhe bashkërregullimi i tregut, nga plotësimi i mekanizmave legjislativ gjyqësor dhe administrativ”.

Gjithashtu Kodi i ri i Transmetimit, i miratuar në Korrik të këtij viti, me sesionet e shtuara për luftën kundër diskriminimit, promovimin e barazisë gjinore dhe për parandalimin dhe luftimin e gjuhës së urrejtjes në transmetimet audiovizive ishin një tjetër temë e këtij takimi.

Grupi i Raporterëve të KiE-së për Shqipërinë shprehën interes për punën e Këshillit të Ankesave, për volumin dhe llojin e ankesave më të shpeshta që publiku apo grupet e interesit i drejtojnë AMA-s, por edhe për rezultatet e monitorimit nga AMA të reklamave dhe komunikimeve tregtare që transmetojnë OSHMA-të. Gjatë bisedës, në përgjigje të interesit të shprehur nga Bashkë-raporterët, znj. Krasniqi ka shpjeguar edhe rolin e AMA-s në monitorimin e fushatave zgjedhore dhe masat ndëshkimore të marra gjatë këtij viti për rastet e konstatuara të shkeljes së ligjit.

Perpara AMA nis hetim administrativ për shoqërinë “Tring” sh.a.

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara