Në Podgoricë u zhvillua konferenca dy ditore për Dezinformimin, Manipulimin dhe Ndërhyrjen e Informacionit të Huaj, organizuar nga Qendra e Kapaciteteve Kibernetike të Ballkanit Perëndimor (WB3C), ku morën pjesë përfaqësues institucionesh, ekspertë të medias dhe sigurisë kibernetike, si dhe profesionistë të komunikimit strategjik nga vendet e rajonit dhe më gjerë.
Konferenca u fokusua në sfidat në rritje që lidhen me Dezinformimin, manipulimin e informacionit dhe ndikimin e tyre në proceset demokratike dhe integrimin europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kryetarja e AMA-s, Znj. Armela Krasniqi e ftuar në këtë konferencë ishte pjesë e panelit me temë “Mbrojtja e rrugëtimit europian: Ndërtimi i qëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor”. Në fjalën e saj, ajo prezantoi qasjen e AMA-s në mbrojtjen e publikut nga dezinformimi dhe eksperiencën e krijuar nga bashkëpunimi me platformat TikTok dhe X.
Kryetarja e AMA-s, theksoi se angazhimi i institucionit bazohet në garantimin e ekuilibrit mes lirisë së shprehjes dhe informimit profesional. Në këtë drejtim, AMA punon për fuqizimin e publikut përmes edukimit mediatik dhe promovimit të gazetarisë profesionale.
Ajo vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me TikTok dhe X si një eksperiencë të suksesshme, që ka ndihmuar në parandalimin e përhapjes së përmbajtjeve të dëmshme në platformat digjitale, si dhe në forcimin e besimit të publikut.


