Bashkëpunimi ndërmjet Autoritetit të Mediave Audiovizive, qytetarëve dhe platformës TikTok vijon me rezultate konkrete në identifikimin dhe trajtimin e përmbajtjeve të dëmshme online.
Sipas të dhënave më të fundit, AMA ka shqyrtuar 107 ankesa të ardhura nga qytetarët. Prej tyre, 39 raste janë vlerësuar si shkelje të ligjit. Si rezultat, 28 përmbajtje video/audio janë hequr nga platforma, ndërsa 11 të tjera vijojnë të jenë në proces shqyrtimi.
Nga përmbajtjet e fshira, 14 video lidhen me ekspozimin e fëmijëve ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme, përfshirë pornografinë, narkotikët, alkoolin, duhanin dhe dhunën, ndërsa 13 video përmbanin nxitje të dhunës dhe urrejtjes. Gjithashtu, 1 material audio është hequr për përdorim të gjuhës që tejkalon standardet morale dhe etike.
Në fushën e piraterisë digjitale, gjatë kësaj periudhe janë raportuar 934 raste, të ndara në 479 foto dhe 455 video. Si pasojë e ndërhyrjeve, të gjitha 934 përmbajtjet e raportuara janë hequr nga platforma, ndërsa aktualisht nuk ka raste në proces shqyrtimi.
AMA thekson se çdo ankesë është trajtuar me përgjegjësi të plotë dhe në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, duke garantuar një mjedis më të sigurt digjital për qytetarët.
