Hapja e platformës TikTok ka rilidhur edhe bashkëpunimin e Autoritetit të Mediave Audiovizive me këtë platformë, në funksion të trajtimit të ankesave të qytetarëve dhe heqjes së përmbajtjeve që bien ndesh me dispozitat ligjore.
Nga momenti i hapjes së TikTok deri më sot, AMA ka shqyrtuar 73 ankesa të ardhura, nga të cilat 25 janë vlerësuar në shkelje të ligjit. Nga këto, 9 materiale audio/video janë hequr nga platforma, ndërsa 16 të tjera vijojnë të jenë në proces shqyrtimi.
Nga 9 përmbajtjet e hequra, 3 video kanë pasur përmbajtje që ekspozon fëmijët ndaj pornografisë, narkotikëve, alkoolit, duhanit dhe dhunës, ndërsa 6 video të tjera kanë përmbajtje që nxit dhunë dhe urrejtje.
Në drejtim të piraterisë, gjatë kësaj periudhe janë raportuar 221 foto dhe 257 video, ndërsa 478 materiale foto/video janë hequr nga platforma.
Çdo ankesë e ardhur është shqyrtuar me përgjegjësi të plotë dhe në zbatim të dispozitave ligjore, në funksion të mbrojtjes së publikut dhe garantimit të një mjedisi më të sigurt digjital.
