Kryetarja e AMA-s Znj. Armela Krasniqi ishte pjesë e tryezës të mbledhur në Kuvendin e Shqipërisë me temë “Forcimi i kuadrit ligjor të Shqipërisë kundër racizmit dhe gjuhës së urrejtjes: Dialog parlamentar për përafrimin me standardet europiane”, e organizuar nga Këshilli i Europës. Kjo tryezë u organizua në kuadër të programit të përbashkët BE/KiE, “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.
Në këtë aktivitet morën pjesë anëtarë të Kuvendit, përfaqësues të institucioneve të pavarura, organizata të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë, të cilët diskutuan mbi prioritetet konkrete ligjore dhe të politikave publike në përputhje me standardet europiane.
Kryetarja e Autoriteti i Mediave Audiovizive theksoi se lufta kundër çdo forme diskriminimi dhe përdorimi të gjuhës së urrejtjes mbetet prioritet në punën e përditshme të institucionit që ajo drejton. Ky angazhim realizohet përmes zbatimit të legjislacionit në fuqi, monitorimit të përmbajtjeve audiovizive, trajtimit të ankesave, nismave për edukimin mediatik, si dhe përmes projekteve në mbështetje të shoqërisë civile dhe bashkëpunimeve ndërinstitucionale.
“Gjatë tre viteve të fundit, nga monitorimi i përmbajtjeve audiovizive janë marrë 13 masa sanksionuese me gjobë dhe 39 masa tërheqjeje vëmendjeje për raste të gjuhës së urrejtjes dhe racizmit. Ndërkohë, nga trajtimi i ankesave të publikut, për 8 raste të regjistruara janë dhënë 3 masa tërheqjeje vëmendjeje dhe është kërkuar heqja e materialeve audiovizive në rastet e shkeljeve të konstatuara” – tha Krasniqi.
Ajo shtoi se zhvillimi i teknologjisë dhe format e reja të komunikimit kanë shtuar sfidat për institucionet dhe publikun, duke e bërë edhe më të rëndësishëm bashkërendimin e veprimeve dhe ndërmarrjen e nismave të përbashkëta për adresimin e këtyre fenomeneve.
“I bëj thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast të gjuhës së urrejtjes, diskriminimit apo shkeljes së dinjitetit në transmetimet audiovizive përmes formularit online në faqen zyrtare të institucionit. Çdo ankesë do të trajtohet me prioritet dhe në përputhje me detyrimet ligjore në fuqi” – tha kryetarja e AMA-s.
Gjatë tryezës u prezantuan gjetjet e Analizës Krahasuese të Politikave kundër Racizmit për Shqipërinë nga eksperti Dorian Matlija, si dhe studimi mbi gjuhën e urrejtjes nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda. Këto prezantime ofruan një panoramë të plotë të situatës aktuale dhe sollën rekomandime konkrete për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër racizmit, diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes.
























