Në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit dhe planit të përbashkët të punës, Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive Znj. Armela Krasniqi zhvilloi një takim pune me Drejtorin e Përgjithshëm të Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Z. Eljo Muçaj për të diskutuar mbi ecurinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe prioritetet e përbashkëta për periudhën në vijim.
Në fokus të takimit ishin; progresi në zbatimin e objektivave të përbashkëta, situata në sektorin e medias për vitin 2025 dhe tremujorin e parë të 2026-s dhe prioritetet për periudhën në vijim.
Sipas të dhënave të prezantuara nga kreu i Inspektoratit, sektori mediatik mbetet një treg dinamik dhe njëkohësisht sfidues. Gjatë vitit 2025, ankesat e trajtuara që lidhen me median përbënin rreth 22% të totalit të inspektimeve, ndërsa 76% e tyre janë zgjidhur në favor të punonjësve, tregues që evidenton efektivitetin e inspektimit dhe rëndësinë e bashkëpunimit institucional në mbrojtjen e të drejtave të punës.
Për tremujorin e parë të vitit 2026, Inspektorati ka trajtuar 7 ankesa nga sektori mediatik dhe ka kryer 46 inspektime të planifikuara. Nga shkeljet e konstatuara, 55% lidhen me dispozitat e Kodit të Punës, kryesisht me marrëdhëniet e punës, 9.3% me legjislacionin për kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, ndërsa 29% me kushtet e punës, sigurinë dhe shëndetin në punë.
Kryetarja e AMA-s ritheksoi angazhimin për të mbështetur dialogun me përfaqësues të industrisë mediatike, gazetarë dhe organizata të shoqërisë civile, në funksion të adresimit të shqetësimeve konkrete mbi kushtet e punës, informalitetin dhe respektimin e të drejtave të punonjësve në sektor.
Në përfundim të takimit, palët shprehën gatishmërinë për vijimin e aktiviteteve të përbashkëta dhe koordinimin institucional për forcimin e standardeve në tregun mediatik.












