E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Krasniqi në takimin e TAIEX, diskutohet përafrimi i legjislacionit të vendeve kandidate me Aktin Europian për Shërbimet Digjitale

Me fokus përafrimin ligjor me Aktin e Shërbimeve Digjitale të Bashkimit Europian (DSA), u zhvillua në Bruksel një takim shumëpalësh i TAIEX, i organizuar nga Komisioni Europian, ku Autoriteti i Mediave Audiovizive u përfaqësua nga Kryetarja znj. Armela Krasniqi dhe Drejtorja e Drejtorisë së Integrimit dhe Legjislacionit Ndërkombëtar znj. Ledjona Dalipaj. 

Takimi mblodhi përfaqësues nga Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Ukraina, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin mbi hapat e nevojshëm për përafrimin e legjislacionit të vendeve kandidate dhe të rajonit me Aktin e Shërbimeve Digjitale të Bashkimit Europian (DSA).

Gjatë dy ditëve të punimeve, përfaqësues të Komisionit Europian dhe të autoriteteve rregullatore nga shtetet anëtare, prezantuan zhvillimet më të fundit në zbatimin e DSA-së në Bashkimin Europian.  Diskutimet u përqendruan në çështje kyçe si mbrojtja e fëmijëve në internet, garantimi i integritetit të proceseve zgjedhore në hapësirën digjitale, siguria e tregjeve online dhe mekanizmat për trajtimin e rreziqeve sistemike që lidhen me platformat e mëdha digjitale.

Në kuadër të këtij aktiviteti u zhvilluan edhe takime bilaterale me drejtues të lartë të Komisionit Europian nga DG CNECT dhe DG ENEST, ku u diskutua mbi zhvillimet më të fundit në qeverisjen e platformave online.

Gjatë takimeve, Kryetarja znj. Armela Krasniqi prezantoi hapat e ndërmarrë në nivel institucional dhe legjislativ për përafrimin gradual të kuadrit rregullator me kërkesat e DSA-së. Në këtë kontekst, u theksua kontributi i Autoritetit të Mediave Audiovizive në analizimin e përputhshmërisë së legjislacionit ekzistues me acquis të Bashkimit Europian, si dhe në identifikimin e masave të nevojshme për forcimin e mbrojtjes së të drejtave themelore në hapësirën online, lirinë e shprehjes, mbrojtjen e të miturve dhe luftën kundër përmbajtjeve të paligjshme në internet.

Pjesëmarrja në këtë takim vlerësohet si një hap i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve njerëzore, për të zhvilluar aftësitë paraprake njohëse të proceseve që DSA i ngarkon rregullatorit.

Perpara Monitorimi i përmbajtjeve gjatë vitit 2025: 12 gjoba, 94 tërheqje vëmendje
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2025 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara