Në Pretoria, Afrika e Jugut, u mbajt Konferenca Globale mbi Qeverisjen e Platformave Digjitale 2026, e organizuar nga UNESCO, ku për tre ditë me radhë u diskutuan sfidat dhe prioritetet kryesore në rregullimin e hapësirës digjitale në nivel global.
Përfaqësues nga vende të ndryshme të botës, drejtues të lartë rregullatorësh, organizata mediatike dhe akademikë trajtuan çështje që lidhen me garantimin e një mjedisi informativ të sigurt, gjithëpërfshirës dhe të bazuar në të drejtat e njeriut. Në fokus ishte forcimi i mekanizmave të qeverisjes së përgjegjshme dhe rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Sesionet me tematika të shumëllojshme theksuan rëndësinë e ndarjes së përvojave mes rregullatorëve dhe aktorëve institucionalë nga Europa, Afrika, Azia dhe Amerika Latine. Diskutimet konfirmuan rolin kyç të qasjeve shumëpalëshe në hartimin e politikave efektive për qeverisjen e platformave digjitale dhe mbrojtjen e integritetit të informacionit.
Në përmbyllje të konferencës u miratua “Deklarata e Pretorias”, një dokument strategjik që përmban angazhime konkrete për zbatimin e Udhëzimeve të UNESCO-s dhe forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut në mjedisin digjital.
Deklarata parashikon masa të qarta për rritjen e transparencës së platformave, përfshirë raportime periodike mbi moderimin e përmbajtjes, krijimin e mekanizmave efektivë ankimi për përdoruesit dhe zgjerimin e aksesit të studiuesve në të dhënat e platformave për kërkime në interes publik.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet mbrojtjes së përdoruesve, sidomos fëmijëve dhe grupeve vulnerabël, promovimit të Edukimit Mediatik dhe Informativ, si dhe zhvillimit të standardeve për vlerësimin e rreziqeve sistemike që lidhen me integritetin zgjedhor, lirinë e medias dhe integritetin e informacionit.
Konferenca u mbyll me një angazhim të përbashkët për ndërtimin e një mjedisi digjital më të sigurt dhe të besueshëm, duke forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe zhvillimin e politikave të koordinuara në nivel global.