Kryetarja e AMA-s Znj. Armela Krasniqi mori pjesë në punimet e konferencës ndërkombëtare të organizuar nga rregullatori turk, RTUK, mbajtur në Ankara, me temë “Përfaqësimi i grave në media”.
Ajo ka përshëndetur punimet e kësaj konference, përkrah Presidentit të RTUK, Z. Ebubekir Sahin, Kryetares së Komisionit për Mundësi të Barabarta për Gratë dhe Burrat në Asamblenë e Madhe Kombëtare Turke, Znj. Çigdem Erdogan Atabek, anëtares së Këshillit të Lartë të Televizionit dhe Radios së Republikës Turke dhe drejtueses së këtij projekti, Znj. Deniz Guçer.
“Media dhe gruaja janë gjithmonë një temë për të cilën ia vlen të diskutohet, ka gjithmonë gjëra për të bërë më mirë, për të rregulluar e për të ndikuar qe ekuilibrat të jenë të barabartë. Pastaj janë sfida të tjera të kohës tonë. Teknologjia, publiku që është edhe prodhues përmbajtjes, edhe ndjekës i tyre. Eshte rreziku i bullizimit online, ai kufiri i vogel që ndan shklejen e së drejtës nga liria e fjalës. Edhe këtu gruaja është sërish e brishtë, në mënyrën sesi trajtohet dhe sesi audienca i drejtohet”, ka thënë në fjalën e saj, Znj. Krasniqi.
Diskutimi mbi binomin Gruaja & Media, qoftë si profesioniste, qoftë në pjesëmarrjen si eksperte, qoftë edhe në mënyrën sesi media e trajton gruan është kompleks dhe një diskutim i përbotshëm.
“Në peizazhin mediatik, mjaft dinamik, shqiptar, përfaqësimi gjinor në media është i balancuar. Të dhënat që dalin çdo vit nga Buletini Periodik i AMA-s, që përmbledh dhe analizon informacionin kryesor mbi zhvillimet në tregun audioviziv në Shqipëri, gratë janë të pranishme në media në nivele të kënaqshme. Megjithatë, nëse diskutimi zgjerohet më tej, mund të thuhet që, përveç problematikave që ka sjellë zhvillimi i teknologjisë, media ka plot çështje për të cilat vlen të diskutohen, kur vjen puna tek trajtimi i grave”- theksoi kryetarja e AMA-s.
Në Konferencën ndërkombëtare të organizuar nga rregullatori turk RTUK, u diskutuan një sërë çështjesh që kanë lidhje me përfaqësimin e gruas në media.
Sipas Krasniqit, gjetjet e trajtuara në këtë konferencë dhe temat e diskutuara janë shumë aktuale dhe të rëndësishme, ndërsa kanë nevojë për kontributin e të gjithëve, në mënyrë që edhe zgjidhjet të arrijnë në standardin e duhur.