Kryetarja e AMA-s, Znj. Armela Krasniqi ka përshëndetur nisjen e programit të trajnimit të gazetarëve nga Qendra Faktoje, me temë “Dezinfomimi në kohë lufte dhe konfliktesh”. Në ditën e parë të këtij programi, me pjesëmarrjen e gazetarëve të radiove dhe televizioneve që operojnë në Tiranë, Krasniqi ka shprehur mbështetjen për iniciativa të tilla duke theksuar nevojën e ndërgjegjësimit publik, por edhe rritjen e profesionalizmit të gazetarëve në raportimin dhe pasqyrimin e përmbajtjeve që ata përcjellin tek publiku, në mënyrë të veçantë kur bëhet fjalë për zona lufte apo konfliktesh.
AMA ka ofruar mbështetjen e vet për Qendrën Faktoje, që të realizojë një program trajnimi për gazetarët me këtë temë. Ky program trajnimi i Faktoje-s do të shtrihet në Tiranë, Elbasan dhe Durrës.
Ligji nuk e ngarkon AMA-n në verifikimin e fakteve, por si në të gjithë Europën, janë OJF që e kryejnë këtë proces. Verifikimi i informacionit është thelbësor, njësoj si edhe roli që mediat luajnë në mbrojtjen e të vërtetës dhe promovimin e transparencës.
“Në këtë kuadër, në përmbushje të detyrimeve ligjore, atë të ruajtjes së ekuilibrit midis Lirisë së Shprehjes dhe Informimit Profesional, AMA mbetet plotësisht e angazhuar në rolin e saj, në Edukimin Mediatik të Publikut”, ka thënë Krasniqi. “E bëjmë këtë me dy synime kryesore: aftësimin e publikut për t’u orientuar në informacion dhe promovimin e gazetarisë profesionale”.