E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Kryetarja e AMA-s reagon për gjuhën e urrejtjes, të përdorur në “Big Brother VIP 4”

Kryetarja e AMA-s, Znj. Armela Krasniqi ka reaguar në rrjetet e saj zyrtare, në lidhje me gjuhën diskriminuese të përdorur në emisionin “Big Brother VIP 4”, transmetuar në platformën me pagesë, DigitAlb. Ajo ka dënuar ngjarjen e ndodhur dhe ka kujtuar gjithë OSHMA-të, se gjuha e urrejtjes është një akt i dënueshëm që, jo vetëm cenon të drejtat e njeriut, por edhe ndjell dhe sjell vetëm dhunë.

Më poshtë reagimi i plotë i Kryetares së AMA-s:

Kam përcjellë me shqetësim situatën e krijuar natën vonë, në emisionin “Big Brother VIP 4”, të transmetuar në platformën me pagesë DigitAlb. Duke dënuar me forcë përdorimin e gjuhës diskriminuese, të urrejtjes e ndasisë, të përdorur nga një prej banorëve – për më tepër personazh i njohur – kundrejt një banori tjetër, i kujtoj OSHMA-së në fjalë, por edhe çdo operatori tjetër se, gjuha e urrejtjes, gjuha që ndjell diskriminim, jo vetëm që cenon të drejtat e njeriut, por edhe sjell dhunë.
E përshëndes reagimin e produksionit të BBV 4, në formën e përjashtimit të autorit të këtij ligjërimi. E vlerësoj, si një akt përgjegjësie përveçse etike, edhe kundrejt detyrimeve, që përmbajtjet audiovizive të të gjitha zhanreve, kanë kundrejt dispozitave ligjore dhe nënligjore, që rregullojnë transmetimet audiovizive në Republikën e Shqipërisë.
Që prej fillimit të transmetimit të këtij formati, strukturat përgjegjëse pranë AMA-s, kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm si me OSHMA-në, ashtu edhe me platformën dhe me produksionin, duke i vënë në dijeni shqetësimet e publikut, dhe është vepruar në rastet kur shkelja e dispozitave të Ligjit a Kodit është konstatuar.
AMA do të vazhdojë monitorimin e transmetimeve audiovizive, duke evidentuar dhe shqyrtuar çdo rast të mosrespektimit të kërkesave të ligjit, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe Kodit të Transmetimit, si edhe duke ua adresuar ato OSHMA-ve përkatëse.
Pritshmëria jonë përputhet me pritshmëritë e publikut të gjerë për respektim të dinjitetit njerëzor dhe standardeve etiko-profesionale të transmetimeve audiovizive.
V.O: Dy fjalë shumë personale. Ndihem e prekur akoma më shumë, si nuse Kosove dhe nënë e dy nipave të Kosovës. Ligjërime të tilla, fyerje të tilla të shëmtuara, nuk janë asgjë më tepër sesa veprime ndasie të rrezikshme që nuk i kanë hije një shqiptari!

Perpara Gjuha e urrejtjes, disa këshilla për të mbrojtur fëmijët që lundrojnë në internet
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2025 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara