Kryetarja e
AMA-s Znj. Armela Krasniqi mori pjesë në Forumin për të Drejtat e Njeriut,
HR30, “EMPOWER TALK: Qëndresa Kundër Urrejtjes & Përqafimi i të Drejtave”,
organizuar në Tiranë nga Qeveria Shqiptare dhe Universiteti Essex në Angli.
Në këtë
event botëror me pjesëmarrje nga akademitë, nga shoqëria civile, përfaqësues të
platformave të mëdha online, organizmat ndërkombëtare etj, Kryetarja e AMA-s
ishte ftuar të merrte pjesë në panelin me temë, “Avokimi i urrejtjes dhe
dhunës në epokën digjitale: ndikimet dhe përgjigjet”. Pjesë e panelit ishin
edhe ekspertja, Dr. Emily Edwards, nga kolegji “St Francis”, Brooklyn,
drejtorja ekzekutive e “Tell MAMA”, në Mbretërinë e Bashkuar,
Iman Atta, anëtarja e Bordit Mbikqyrës së META-s, Pooja Larvin, drejtori
ekzekutiv i Qendrës për Studim të Urrejtjes Digjitale, Raqib Hameed Naik
dhe Komisioneri për të Drejtat e Njeriut të Sri Lankës, Dr Gehan
Gunatilleke. Paneli u drejtua nga Dr. Michael Wiener i Zyrës së Komisionerëve
të lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
Në panel
janë diskutuar efektet e epokës digjitale dhe revolucionarizimi i pothuajse të
gjitha fushave të ekzistencës njerëzore. Në këtë realitet, lufta kundër
gjuhës së urrejtes është bërë domosdoshmëri.
Në fjalën e
saj Znj. Krasniqi ka trajtuar temën e “Luftës kundër gjuhës së urrejtjes dhe
mbrojtjes së të drejtës për informim” në Shqipëri. Ajo ka prezantuar për të
pranishmit në tryezë, një panoramë të punës që ka bërë AMA në këtë drejtim.
“Në epokën
moderne të komunikimit, ku jetojmë sot, gjuha e urrejtjes është kthyer në
shqetësim mbarë botëror, ka thënë ajo. “Ndër shumësinë e sfidave të kohës që po
jetojmë, natyrshëm nënvizohet edhe nevoja për të trajtuar rastet në rritje të
gjuhës së urrejtjes. Sot diskutohet për raportin e gjuhës së urrejtjes me
liritë themelore, për raportin e gjuhës së urrejtjes me ligjin, me median, për
ndikimin e internetit dhe rrjeteve sociale, për vetërregullimin dhe
bashkërregullimin e hapësirës virtuale që duket se ka hapur dimensione të
reja.
“Në këtë
panoramë, sfida ekziston si për median ashtu edhe për rregullatorët, siç është
AMA. Ne kemi punuar duke u mbështetur në disa shtylla: reformat ligjore,
përafrimi me legjislacionin e BE dhe ndjekja e shembujve perëndimorë,
respektimi e të Drejtës për Informim dhe Edukimin Mediatik të Publikut, si
investimi më i mirë për krijimin e një audience të mençur dhe vendimmarrëse”-
iu tha të pranishmëve Kryetarja e AMA-s Znj. Armela Krasniqi.