E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

AMA vazhdon fushatën e Edukimit Mediatik në kopshte. Interes i madh nga prindër dhe edukatore për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet digjitale 

Vazhdon fushata e Edukimit Mediatik, e nisur nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, në kopshtet e Tiranës. Janë vizituar deri tani 15 kopshte, të shtrirë në njesi të ndryshme administrave, ku objektiv kanë qenë prindër, edukatorë dhe fëmijë të moshës parashkollore.

Kjo fazë e dytë e fushatës së Edukimit Mediatik, e titulluar, “Kompetencë mediatike për moshat parashkollore”, e hartuar dhe drejtuar nga Këshilli i Ankesave në AMA, është konceptuar si një cikël bisedash informuese dhe ndërgjegjësuese me prindër dhe edukatorë dhe ka në qendër të vëmendjes fëmijët parashkollorë të moshës 5-6 vjeç, për shkak të veçorive të zhvillimit të tyre moshor dhe nevojës për orientim në botën mediatike dhe digjitale, në prag të një hapi të rëndësishëm të jetës së tyre, siç është shkollimi.

Në çdo kopsht ku ekipet e AMA-s kanë qenë, janë zhvilluar biseda informuese dhe edukuese, bashkëbisedim me dhjetra prindër dhe edukatorë të pranishëm, janë transmetuar video informuese të realizuara nga AMA si dhe janë shpërndarë materiale të publikuara për këtë qëllim. Vëmendje e veçantë në këto biseda i është kushtuar nevojës së orientimit të fëmijës në mjedisin audioviziv dhe përdorimit të mekanizmave mbrojtës për shëndetin e tij fizik dhe mendor, ushtrimit të kontrollit prindëror mbi praninë dhe sjelljen e fëmijës në internet, mënyrave të kufizimit të kohës së fëmijës online, mbrojtjen e tij nga rreziqet kibernetike, etj.

Në takimet e zhvilluara, prindërit janë interesuar dhe kanë marrë informacione gjithashtu edhe për veçoritë e identitetit digjital dhe rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale në mjediset digjitale si edhe për mjetet e mbrojtjes prej rreziqeve që vijnë prej hapësirës kibernetike, pranisë dhe marrëdhënieve, që gjithsecili krijon në të.

Fushata e Edukimit Mediatik ka nisur prej muajsh nga AMA, me një cikël videosh informuese dhe orientuese për fëmijë dhe të rritur, mbi Prindërimin Digjital, rreziqet e njohura digjitale, mbrojtjen e të dhënave personale, lojrat, reklamat, blerjet online etj. Kjo fushatë është zgjeruar më tej dhe aktualisht ka për objektiv prindër, edukatoret e kopshteve dhe fëmijë të moshës parashkollore.

Për të garantuar efektivitet dhe shpërndarje gjeografike, për këtë fushatë, AMA ka pasur bashkëpunimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Kopshteve dhe Çerdheve të Bashkisë Tiranë.
Fushata do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Perpara Reagim i Autoritetit të Mediave Audiovizive
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara