Shqipëria merr pjesë në samitin World DAB 2023, mbajtur në Mynih në data 7-8 Nëntor.
Edhe vendi ynë po shqyrton mundësitë që, pas koordinimit me vendet fqinje, t’u japë mundësinë të gjithë operatorëve radiofonik të interesuar të shtrijnë programet e tyre në teknologjinë digjitale DAB+
DAB është pranuar gjerësisht si standardi i radios digjitale, i miratuar nga transmetuesit në gjithë Europën, Azinë, Paqësorin etj. Aktualisht në një nivel akoma më të lartë zhvillimi, DAB+ është shndërruar në shumë vende të botës në formatin kryesor të transmetimit digjital në radio.
“Shumë frytdhënës takimet me dy figura të rëndësishme të botës radiofonike, si Jacqueline Bierhost, e cila sapo mori mandatin si Presidente e WorldDAB, dhe Patrick Hannon që prej 10 vjetësh ka mbajtur presidencën e këtij forumi, lider botëror për teknologjinë audio”, ka thënë Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi. “Gjatë bisedës me Patrick ndamë bindjen e përbashkët se përqafimi sa më shpejt i risive teknologjike është një hap me përfitim për operatorët radiofonik edhe në Shqipëri”.
Gjithashtu pjesë e rëndësishme e kësaj pjesëmarrje të AMA-s në WorldDAB ishin edhe takimet me presidenten e sapozgjedhur, Jacqueline Bierhost.
“Diskutuam hapa konkretë që AMA, si rregullator, do të ndërmarrë për transformimin digjital të tregut radiofonik në Shqipëri. Jacqueline dhe kolegia e saj, Bernie, demonstruan se gatishmëria dhe vullneti i tyre më shumë se pozitiv mund të shndërrohet menjëherë në rezultat”, ka shtuar Krasniqi.
Rrjeti botëror DAB ofron ekspertizë për të gjitha fazat e kalimit nga transmetimet radiofonike analoge FM në ato digjitale DAB/DAB+ në brezin VHF.
Në Mynih, ekspertë të kësaj fushe ndanë eksperiencat dhe risitë teknologjike të tregut radiofonik me 350 delegatët e këtij samiti.