Zbatimi i Kodit të ri të Transmetimit ka dhënë efektet e para. Me propozim të Këshillit të Ankesave, vetëm për muajin Tetor, AMA ka miratuar katër masa “Tërheqje vëmendje”, për katër televizione. Shkeljet e konstatuara janë, për përdorim të gjuhës seksise dhe mizogjene, transmetim të skenave që mund të dëmtojnë zhvillimin fizik, mendor dhe moral të të miturve dhe shkelja e parimit të prezumimit të pafajsisë.
Në korrik të këtij viti, AMA miratoi Kodin e ri të Transmetimit. Ky Kod përmban 11 Seksione kundrejt 8 syresh, që përmbante Kodi paraardhës. Në të janë shtuar seksionet: “Luftimi i diskriminimit dhe promovimi i barazisë gjinore”, “Parandalimi dhe luftimi i gjuhës së urrejtjes në transmetimet audiovizive” dhe “Dispozitat kalimtare”, ndërkohë që janë përpunuar dhe zgjeruar në masën 60% seksionet e tjera.
Kodi i Transmetimit ka për qëllim të sigurojë pavarësinë dhe paanësinë e veprimtarisë së OSHMA-ve, duke synuar që ato të bëhen gjithnjë e më të ndërgjegjshme për përgjegjësinë e tyre kundrejt përmbajtjes së transmetimit, në përputhje me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, lirinë e shprehjes dhe të informimit, të drejtat dhe interesin më të lartë të fëmijës, të drejtën për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale, ruajtjen e sekretit të burimeve të informacionit, moslejimi i transmetimeve që nxisin ose justifikojnë dhunën, respektimin e dinjitetit, barazisë gjinore, pluralizmit, paanësisë së informacionit, etj.