E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Qarku Vlorë – Tryeza e katërmbëdhjetë e këshillimit publik në kuadër të rishikimit të Kodit të Transmetimit

Autoriteti i Mediave  Audiovizive (AMA) organizoi më 1 shkurt 2023, në Vlorë, tryezën e katërmbëdhjetë të këshillimit publik, në kuadrin e rishikimit të Kodit të Transmetimit.

Tryeza pati karakter gjithëpërfshirës, ndonëse si paraqitja ashtu edhe diskutimet pasuese u përqendruan te “Barazia gjinore dhe mbrojtja e interesit më të lartë të fëmijës në transmetimet audiovizive”, te “Respektimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuar dhe aksesi i tyre në transmetimet audiovizive”, te “Parandalimi dhe luftimi i gjuhës së urrejtjes” si edhe tek “E drejta për privatësi dhe mbrojtje të të dhënave personale”.

Pjesë e këshillimit u bënë përfaqësues të OSHMA-ve, organizatave të shoqërisë civile, botës akademike, institucioneve arsimore, institucioneve lokale, Policisë së Shtetit, etj. Diskutimi evidentoi përgjithësisht një qasje shumëplanëshe, por dhe interesim të veçantë për kapitujt e fokusuar te detyrimet e OSHMA-ve në kuadrin e mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut, respektimit të privatësisë dhe mbrojtjes së kategorive vulnerabël, mbrojtjes së të dhënave personale, etj.

Kryetarja e Këshillit të Ankesave, Mirela Oktrova, paraqiti shkurt procesin e rishikimit të Kodit të Transmetimit në përmbushje të detyrimeve të rrjedhura prej Planit Strategjik 2021-2023 të Autoritetit, kërkesave të zhvillimit teknologjiko – shoqëror dhe standardeve ndërkombëtare.

Oktrova iu referua ekuilibrave, që procesi i rishikimit ka synuar të ruajë dhe risive, që ai ka prodhuar, rëndësisë së këshillimit publik dhe komenteve të vjela prej tij për standardin e dokumentit përfundimtar si edhe rolit, që diskutime dhe takime të tilla të grupeve të interesit luajnë në harmonizimin e të drejtave dhe detyrimeve të palëve në kuadrin e konsumit të produktit audioviziv dhe komunikimit apo bashkëveprimit në dhe për të. Sipas saj, kufirin midis të drejtave dhe detyrimeve të palëve në komunikimin publik e përcakton profesionalizmi po aq sa përgjegjësia ndaj interesit publik.

Pjesëmarrësit në diskutim shtruan nevojën e rregullimit të raporteve midis problematikave të aktualitetit lokal dhe atij kombëtar në median audiovizive kombëtare dhe lokale dhe kërkuan

shpjegime për hapësirat ligjore dhe nënligjore përkatëse. Ata u fokusuan gjithashtu te rastet e cenimit të imazhit dhe dinjitetit të personit për shkak të shkeljes së prezumimit të pafajsisë të personave në kontakt/konflikt me ligjin, te shkeljet e së drejtës për të harruar dhe rezistenca ndaj detyrimit për korregjimin e informacionit të publikuar për shkak dezinformimi, te mosplotësimi i detyrimeve në kuadrin e së drejtës së përgjigjes, te cenimi i privatësisë dhe shpërdorimi i të dhënave personale të funksionarëve publikë, etj.

Ekspertja e angazhuar nga AMA për hartimin e Kodi të ri të Transmetimit, Prof. Dr. Vasilika Hysi, në cilësinë e juristes dhe njohëses së lirive dhe të drejtave të njeriut, prezantoi në mënyrë të detajuar ndryshimet e propozuara. Duke iu referuar procesit, Hysi shpjegoi, se projektkodi në diskutim është synuar të integrojë në një dokument jo vetëm detyrimet ligjore, të rrjedhura prej ligjit 97/2013 “Për mediat audiovizive në republikën e Shqipërisë”, por përgjithësisht të gjitha ato dispozita ligjore, të cilat ndonëse të shpërndara në ligje të ndryshme prekin, nga njëra anë, të drejtat themelore dhe, nga ana tjetër, afektojnë direkt ose indirekt veprimtarinë audiovizive. Në vijim ajo argumentoi shtimin e kapitujve të dedikuar për “Barazinë gjinore” dhe “Gjuhën e urrejtjes” si edhe ndërhyrjet në funksion të përmirësimit të standardit të seksioneve me objekt të drejtat e fëmijëve, PAK dhe të dhënat personale.

Tryeza e zhvilluar në Vlorë u dha fund tryezave këshillimore me grupet e interesit, të zhvilluara në të gjitha qarqet e Shqipërisë, ndonëse fushata e këshillimit publik për Kodin e Ri të Transmetimit do të vazhdojë deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti. Gjatë gjithë kësaj kohe, Projektkodi i plotë i Transmetimit do të vazhdojë të qëndrojë i publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit të Mediave Elektronike – në rubrikën Këshillimi publik – për të garantuar akses të plotë në dokument, jo thjesht dhe vetëm të OSHMA-ve dhe grupeve të tjera të interesit, por edhe të publikut të gjerë – si për t’u njohur me të, ashtu edhe për të formuluar vërejtje, komente dhe propozime për aspekte të caktuara të tij.

Autoriteti i Mediave Audiovizive inkurajon të gjithë aktorët dhe faktorët që të shfrytëzojnë kohën e mbetur, për t’u konsultuar me projektkodin dhe për të bërë komentet apo propozimet e tyre lidhur me të.

Perpara Qarku Fier – Tryeza e trembëdhjetë e këshillimit publik në kuadër të rishikimit të Kodit të Transmetimit
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara