E Hënë - E Enjte 08:00 - 16:30 | E Premte: 08:00 - 14:00

Tryeza për krijimin e Agjendës Digjitale për sigurinë e fëmijëve online. Krasniqi: Kam besim se bashkëpunimi i suksesshëm që kemi lidhur me TIKTOK të shërbejë si model e praktikë edhe për vendet e tjera të Ballkanit

Krijimi i një Agjende Digjitale për sigurinë e fëmijëve në Ballkanin Perëndimor ishte fokusi i konferencës së parë rajonale që u organizua në Tiranë nga Autoriteti i Mediave Audiovizive në bashkëpunim me Qendrën për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT). Në tryezë merrnin pjesë drejtues të platformës TIKTOK , të rregullatorëve të Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ekspertë të fushës etj.

AMA ka vendosur në muajin gusht një bashkëpunim me platformën TikTok, i cili deri tani ka rezultuar shumë i suksesshëm. Duke pasur si objektiv rregullimin e Platformave të Shpërndarjes së Videove, pjesë e detyrave që ligji i jep AMA-s, nga muaji gusht është krijuar një link i dedikuar në web-in zyrtar të AMA-s ku qytetarët mund të raportojnë përmbajtjet e publikuara në platformën TikTok që ata i gjykojnë të dëmshme. Këto raportime, shqyrtohen nga ekipet e AMA-s dhe ato që gjenden në shkelje të ligjit raportohen në platformën TikTok. Deri tani numërohen me qindra përmbajtje të bllokuara për pirateri dhe për përmbajtje të dëmshme.
Duke pasur këtë eksperiencë të suksesshme, kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi ka ftuar në tryezën e organizuar në Tiranë, me TIKTOK dhe CRCA/ECPAT Shqipëri, edhe homologët nga Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut në mënyrë që kjo praktikë të mundësohet edhe në vende të tjera të Ballkanit.

“Projekti që po prezantojmë sot është konceptuar për t’i informuar përdoruesit si të përdorin dhe si të përfitojnë në një mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme nga përdorimi i platformës. Fusha e sigurisë digjitale është e komplikuar dhe është e pamundur që një entitet ta përballojë i vetëm. Ne si platformë e kuptojmë këtë gjë dhe për shkak të kësaj lidhim bashkëpunime me institucionet në mënyrë që ta adresojmë këtë problem tërësisht. Dua t’i shpreh mirënjohjen time AMA-s që u bë partneri ynë institucional në këtë projekt edhe në dialogun që kemi rreth sigurisë në fushën digjitale” u shpreh në këtë konferencë Z.Lukasz Gabler Menaxher i Politikave Publike dhe Marrëdhënieve me Qeverinë CEE, TIKTOK.

Ndërsa Kryetarja e AMA-s, znj. Armela Krasniqi ritheksoi edhe një herë se bashkëpunimi me platformën TikTok ka rezultuar shumë i suksesshëm dhe tanimë numërohen me qindra, videot me përmbajtje të dëmshme dhe pirate, që janë bllokuar. “Për mua është një kënaqësi që do të kemi një drejtues të platformës në Tiranë dhe për këtë kam thirrur drejtuesit e rregullatorëve të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi dhe të Kosovës të jenë prezent në këtë takim, pasi shpresoj që kjo punë që ka nisur AMA, të shtrihet edhe në këto vende”, u shpreh për mediat kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi. 

Sipas Krasniqit, “do të jetë shumë e domosdoshme që edhe këto vende të rajonit tonë të kenë të njëjtën qasje në këtë platformë”.
Drejtuesit e rregullatorëve të pranishëm në takim, Branko Boskovic i rregullatorit malazez dhe Drejtoresha Ekzekutive e këtij rregullatori, Suncica Bakic, Jeton Mehmeti i KPM Kosovë dhe Selver Ajdini i rregullatorit të Maqedonisë së Veriut kanë prezantuar situatën e përgjithshme në vendet respektive sa i takon Platfromave të Shpërndarjes së Videove në përgjithësi dhe TIKTOK në veçanti. Të gjitha palët kanë rënë dakord për nevojën e bashkëpunimit mes rregullatorëve dhe platformave dhe ngritjen e një skeme bashkërregullimi mes palëve, për një mjedis të sigurt digjital për qytetarët.

“Nisma jonë po mbështet përgatitjen dhe publikimin e materialeve informative të lehta për t’u kuptuar në gjuhët e vendeve, për të lehtësuar mësimin e individualizuar dhe të diferencuar, si dhe ndërtimin e programeve të ndërgjegjësimit dhe trajnimit për mësuesit, zyrtarët e mbrojtjes së fëmijëve apo ata të zbatimit të ligjit. Çdo 6 muaj ne i përditësojmë të gjitha udhëzimet dhe bazohemi në sugjerimet që marrim. Për ne nuk është e rëndësishme thjesht fshirja e këtyre përmbajtjeve nga platforma, por gjithashtu, analizimi se si mund të operojmë më mirë si platformë që të krijojmë një siguri në komunitet”, -tha përfaqësuesi i TikTok gjatë tryezës.

Objektivi i përgjithshëm i Agjendës Digjitale për Ballkanin Perëndimor të TikTok është të mbështesë zhvillimin e aftësive digjitale dhe të sigurisë në gjashtë vende: Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi.

Perpara Përfaqësuesit e TIKTOK në AMA. Diskutohet e ardhmja e bashkëpunimit AMA-TIKTOK dhe trajnohet ekipi që shqyrton raportimet e qytetarëve
guest
0 Comments
Oldest
Newest Most Voted
Inline Feedbacks
View all comments

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2024 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara