Pas bashkëpunimit të lidhur me TIKTOK, në gusht të këtij viti, dhe qindra videove pirate dhe ato me përmbajtje të dëmshme të raportuara nga qytetarët, është hedhur një tjetër hap sa i takon këtij bashkëpunimi.
Kryetarja e AMA-s, znj. Armela Krasniqi ka zhvilluar një takim me Lukasz Gabler, Menaxher i Politikave Publike dhe Marrëdhënieve me Qeverinë CEE, TikTok. Gjatë takimit Kryetarja e AMA-s ka shprehur falënderimet për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e lidhur me këtë platformë e cila i ka mundësuar akses Autoritetit, në një kanal të dedikuar ku dërgohen të gjitha videot që rezultojnë me shkelje ligjore, pas raportimit të tyre nga qytetarët. Falë këtij bashkëpunimi deri tani janë bllokuar me qindra video për përmbajtje të dëmshme me dhunë, shkelje të të drejtave të fëmijëve, përdorim të gjuhës joetike dhe të urrejtjes, si dhe video me përmbajtje të produkteve audiovizive pirate.
Pas këtij takimi Gabler dhe Arbias Lllolluni, Menaxher i Politikave të TIKTOK për Besimin dhe Sigurinë kanë zhvilluar një takim trajnues me ekipin e AMA-s të ngarkuar me detyrën e shqyrtimit të raportimeve që vijnë nga qytetarët për përmbajtjet e dëmshme që publikohen në këtë platformë. Llolluni ka bërë një prezantim të politikave të TikTok dhe i është përgjigjur interesit dhe pyetjeve të stafit, rast pas rasti, mbi problematikat e ndeshura gjatë këtyre muajve.
Drejtuesit e TIKTOK gjenden në Tiranë edhe për një tjetër iniciativë e rëndësishme, bashkëpunim AMA-CRCA/ECPAT Shqipëri dhe TikTok për të rritur ndërgjegjësimin dhe krijimin e një Agjende Digjitale për sigurinë e fëmijëve në Ballkanin Perëndimor.