AMA publikon të dhënat për vjetërsinë në punë në mediat shqiptare, 33% e punonjësve në televizione kanë 1–3 vite përvojë

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka publikuar të dhënat mbi vjetërsinë në punë të punonjësve në televizionet, radiot dhe operatorët kabllorë gjatë vitit 2025.
Sipas statistikave të publikuara, në sektorin televiziv, përqindjen më të lartë e zënë punonjësit me 1–3 vite përvojë pune, të cilët përbëjnë 33% të totalit të të punësuarve.

Të dhënat tregojnë se 21% e punonjësve në televizione kanë 3–5 vite përvojë pune, ndërsa po 21% i përkasin grupmoshës së vjetërsisë 5–10 vite. Ndërkohë, punonjësit me 10–15 vite përvojë përbëjnë 8% dhe ata me 15–25 vite përvojë zënë 9% të totalit.

Edhe në sektorin radiofonik paraqiten tregues interesantë. Përqindjen më të madhe e përbëjnë punonjësit me 5–10 vite përvojë pune, me 31%, të ndjekur nga ata me 15–25 vite përvojë, të cilët përfaqësojnë 18% të të punësuarve.

Sa i përket operatorëve kabllorë, struktura e punonjësve dominohet nga personat me 1–3 vite përvojë pune, të cilët zënë 42% të totalit. Në vendin e dytë renditen punonjësit me 3–5 vite përvojë, me 20%.

Të dhënat janë pjesë e buletinit periodik të përgatitur nga ekipet e analizës në AMA, i cili publikohet çdo vit dhe përfshin informacione të detajuara mbi tregun audio dhe audioviziv në Shqipëri.

Buletini përmban të dhëna mbi aspektet ekonomike, strukturën e pronësisë së tregut audioviziv, treguesit teknikë, si dhe monitorimin e përmbajtjeve të transmetuara. Sipas AMA-s, ky publikim shërben si një bazë e rëndësishme informacioni për analizimin e zhvillimeve të tregut mediatik ndër vite dhe për realizimin e studimeve të ndryshme.

Leave Your Comment

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2026 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara