Vazhdojnë raportimet nga qytetarët për videot me përmbajtje të dëmshme në TikTok. Dy javë nga fillimi i bashkëpunimit të AMA-s me këtë platformë dhe nga hapja e një linku të dedikuar në faqen zyrtare online të Autoritetit, ku publiku mund të raportojë përmbajtjet që i gjykon si të dëmshme, janë raportuar me qindra të tilla.
Bëhet fjalë për përmbajtjet që përmbajnë dhunë, gjuhë urrejtje, abuzim me fëmijët dhe të komuniteteve apo shkelje të të drejtave themelore.
Brenda 2 javëve të para të fillimit të këtij bashkëpunimi kanë mbërritur në AMA, 232 ankesa, të cilat pasi janë shqyrtuar nga ekipet ligjore dhe të Këshillit të Ankesave në AMA, janë raportuar në platformën TikTok, për shkelje të ligjit, 77 prej tyre. Nga këto 64 janë hequr nga platforma TikTok dhe 13 janë në proces.
Sërish ajo që dallon në të dhënat e publikuara janë rastet e piraterisë që duket se deri tani kanë qarkulluar me shumicë dhe lirshëm në platformën TikTok.
Për të njëjtën periudhë, pra vetëm për 2 javë, janë raportuar për pirateri të produktit audioviziv 436 video, ndër të cilat 403 janë fshirë nga platforma ndërsa 48 profile janë mbyllur menjëherë për të njëjtën arsye, pasi janë raportuar videot që ato përmbanin.
“Falenderuese për qytetarët që kanë raportuar duke dëshmuar ndjeshmëri të lartë dhe besim tek institucioni ynë, ka shkruar në rrjetet e saj sociale, Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi. Me sigurinë që me jep ligji, ju siguroj se çdo ankesë është e mirëpritur dhe do të shqyrtohet e analizohet në kohë rekord nga AMA, e mbi të gjitha, me përgjegjësi e maturi në trajtimin e saj, në përputhje me dispozitat ligjore”.