Krasniqi në takimin e 13-të vjetor të BRAF: Teknologjia mund ta ndihmojë gazetarinë, por nuk mund të zëvendësojë

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, znj. Armela Krasniqi, mori pjesë në takimin e 13-të vjetor të Forumit të Autoriteteve Rregullatore të Vendeve të Detit të Zi (BRAF), zhvilluar në Sofje të Bullgarisë. Temë kryesore e këtij takimi ishte “Inteligjenca Artificiale në Media dhe Rregullim”.

Kryetarja e AMA-s ishte pjesë e panelit “E ardhmja e rregullimit të medias në një botë të udhëhequr nga Inteligjenca Artificiale”. Diskutimi u përqendrua te instrumentet rregullatore, mekanizmat e monitorimit, praktikat më të mira dhe bashkëpunimi rajonal në një mjedis mediatik që ndikohet gjithnjë e më shumë nga Inteligjenca Artificiale.

Në fjalën e saj, znj. Krasniqi theksoi rëndësinë e transparencës në përdorimin e IA-së, si dhe rolin e edukimit mediatik si një instrument i domosdoshëm për t’i ndihmuar qytetarët të dallojnë informacionin e besueshëm.

“Teknologjia mund ta ndihmojë gazetarinë, por nuk mund të zëvendësojë gazetarinë cilësore, përgjegjësinë editoriale dhe gjykimin njerëzor”, u shpreh Kryetarja e AMA-s.

Paneli u moderua nga Dr. Simona Veleva, anëtare e Këshillit për Median Elektronike të Bullgarisë (CEM). Pjesë e diskutimit ishin gjithashtu Dr. Deniz Güler, Zëvendëspresident i RTÜK-ut, Turqi; Saša Simović, Ndihmësdrejtor për Çështjet Ligjore në REM, Serbi; si dhe Valentin-Alexandru Jucan, Zëvendëspresident i NAC-it, Rumani.

Takimi mblodhi përfaqësues të autoriteteve rregullatore nga Shqipëria, Armenia, Bullgaria, Gjeorgjia, Greqia, Rumania, Serbia dhe Turqia, duke shërbyer si një hapësirë e vlefshme për shkëmbimin e praktikave të mira dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet rregullatorëve të rajonit.

Perpara Transparencë AMA–TikTok: 309 ankesa të administruara dhe 110 përmbajtje të hequra

Na ndiqni në rrjete sociale:

Copyright 2026 | Autoriteti Mediave Audiovizive | Të drejtat e rezervuara

Mirembahet nga INSTANT.AL